Maqedoni

Ministri Bekim Sali bisedë me kolegun kosovar: Të mbrohet shëndeti, por të mos pengohet lëvizja e lirë e qytetarëve!

Ministri i Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, Bekim Sali, e ka telefonuar ministrin e Shëndetësisë në Kosovë, Rifat Latifin, për t’i kërkuar që ta heq masën për parandalimin e Covidit, me të cilën atyre që hyjnë nga jashtë në Kosovë, u kërkohen dëshmi se janë vaksinuar me tri doza të vaksinës kundër koronavirusit.

Ministri Bekim Sali ia ka shprehur homologut të tij nga Kosova brengën e qytetarëve, të cilët thuhet se janë kufizuar ndjeshëm nga kjo masë.

Latifi dhe Sali u tha se janë pajtuar se gjendja me pandeminë është pothuajse e njëjtë në të dy vendet. Kësisoj, ky i fundit i kërkoi ministrit kosovar rishqyrtimin e vendimit për të mos e penguar qarkullimin e qytetarëve.

“Duke konstatuar bashkërisht se gjendja me pandeminë në të dyja vendet është gati e njëjtë, ministri Bekim Sali kërkoi nga homologu i tij, Latifi, që ta rishqyrtojnë këtë vendim dhe të kërkojnë një mundësi tjetër që edhe të mbrohet shëndeti i qytetarëve të të dyja vendeve, por edhe të mos pengohet qarkullimi i tyre i lirë”, tha Bekim Sali.