Rajon - Botë

Mijëra njerëz në Afrikën e Jugut në marsh solidariteti me Palestinën

Mijëra njerëz në Afrikën e Jugut marshuan të shtunën në Cape Town për të protestuar kundër sulmeve të Izraelit në Rripin e Gazës, të cilat kanë rezultuar në vdekjen e më shumë se 11.000 viktimave, raporton Anadolu.

Protesta e organizuar nga disa grupe të shoqërisë civile tërhoqi protestues nga besime të ndryshme fetare, duke përfshirë muslimanë, të krishterë dhe hebrenj.

Demonstruesit, duke mbajtur flamuj palestinezë dhe pankarta me mesazhe solidariteti me palestinezët, kërkuan armëpushim të menjëhershëm në Gaza.

Sekretari i Përgjithshëm i partisë në pushtet të Kongresit Kombëtar Afrikan (ANC), Fikile Mbalula, dhe deputeti i ANC-së, Mandla Mandela, nipi i Nelson Mandelës, i kërkuan qeverisë t’i japë fund lidhjeve diplomatike me Izraelin.

Ata kërkuan gjithashtu që qeveria të mbyllë ambasadën izraelite në Pretoria.

Afrika e Jugut tërhoqi gjithë stafin e saj diplomatik javën e kaluar nga Tel Avivi për konsultim për shkak të luftës së Izraelit në Gaza.

Këtë javë, Ministria e Jashtme thirri ambasadorin izraelit Eliav Belotsercovsky në lidhje me sjelljen e tij të fundit në lidhje me luftën.

Belotsercovsky akuzohet se ka bërë komente përçmuese për ata që flasin kundër sulmeve ndaj palestinezëve.

“Ambasadori Belotsercovsky është thirrur të sillet në përputhje me Konventat e Vjenës, të cilat u japin shefave të misioneve diplomatike disa privilegje dhe përgjegjësi, ndër të cilat kyçe është njohja e vendimeve sovrane të vendit pritës”, tha Ministria e Jashtme në një deklaratë vonë të premten vonë.

Qytetarët e Afrikës së Jugut kanë mbajtur mbi dhjetë protesta që nga fillimi i konfliktit Izrael-Palestinë më 7 tetor.