May 19, 2024
Maqedoni

Mickovski: Do të propozojmë ministra në qeverinë teknike, por nuk do e votojmë

Kryetari i VMRO-DPMNE Hristijan Mickovski në intervistën per “360 Shkallë”, ka folur për qeverinë teknike e cila duhet të formohet më 28 janar. VMRO DPMNE është prononcuar disa herë për shfuqizimin e ligjit që parasheh qeveri teknike, por kjo nuk është pranuar nga pushteti. Kursë në intervistën për “360 Shkallë” Mickovski tani thotë se partia e tij me gjasë do të mer pjesë në qeverinë teknike, transmeton lideri.mk.

“Jemi duke analizuar pjesëmarrjen tonë në qeverinë teknike. Kështu siç është ligji tani me sa duket do të nominojmë kandidatë tanë për ministra”, tha Mickovski por duke paralajmëruar se partia e tij mund të mos e votojë qeverinë teknike në Kuvend.

Gjatë Qeverisë teknike, përveç kryeministrit i cili jep dorëheqje dhe në vend të tij vjen kandidati nga partia apo koalicioni që përbën Qeverinë, nga pozita largohen ministri i Brendshëm dhe ai i Punës dhe Politikës Sociale. Në vend të tyre vijnë kuadro nga partia më e madhe opozitare në Kuvend. Gjithashtu opozitës i takojnë tre zëvendësministra plotësues në Financa, Bujqësi dhe Shoqëri Informatike. Ndërkohë partia më e madhe që ndodhet në pushtet përcakton zëvendësministra plotësues në MPB dhe Politikë Sociale. Kompetencat e tyre janë të rregulluara dhe kufizuara me Ligjin për Qeveri.

Ligji për Qeverinë

Dispozitat për Qeverinë teknike
Ministër i Brendshëm
Ministër i Punës dhe Politikës Sociale
Zëvendësministër plotësues në Ministrinë e Financave
Zëvendësministër plotësues në Ministrinë e Bujqësisë
Zëvendësministër plotësues në Ministrinë për Shoqëri Informatike dhe Administratë
Zëvendësministër plotësues në Ministrinë e Brendshme
Zëvendësministër plotësues në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale
Sipas marrëveshjes së arritur mes LSDM-së dhe BDI-së në vitin 2020, kryeministri teknik do të propozohet nga partia e Ali Ahmetit. Ky subjekt javën e kaluar për këtë pozicion propozoi kryetarin aktual të Kuvendit, Talat Xhaferi ndërsa në vend të tij do të zgjidhet deputeti Jovan Mitrevski. Partitë janë shprehur të gatshme që pas zgjedhjeve të diskutojnë për abrogimin e mundshëm të Qeverisë teknike si opsion i përfshirë në ligj në vitin 2016.