Lajmet e reja

Mickoski mohon punësimet partiake në Këshillin Gjyqësor

Kryeministri Hristijan Mickoski mohon të ketë pasur emërime partiake në këshillin gjyqësor. Ai konfirmoi se Danka Ristova është bashkëshorte e kryetarit të komunës së Radovishit nga radhët e partisë së tij, por thotë se ajo nuk është anëtare e VMRO-DPMNE-së. Danka Ristova u zgjodh anëtare e re e Këshillit gjyqësor më 11 dhjetor, nga Gjykata e Apelit në Shtip.

“Nuk e di kujt i referoheni si raste partiake. Në pyetjen tuaj ka konstatim për të cilin më lejoni të them se nuk është i vërtetë. Zgjedhjen e anëtarëve në Këshillin gjyqësor e bëjnë gjykatësit në zgjedhje të drejtpërdrejta me votim. Nëse ju mendoni se këto gjykatës në shtatë vitet e kaluara mundemi t’i udhëzojmë ne, atëherë nuk shoh dallim mes pretendimeve të BDI-së dhe këtij lloji të pyetjeve… Po, ajo është bashkëshorte e kryetarit të komunës Aco Ristov, një kryetar komune shumë i suksesshëm në Radovish por i hedh poshtë konstatimet në pyetjen tuaj, i kundërvihem fuqishëm kësaj. Anëtare me atë emër dhe mbiemër në VMRO nuk ekziston”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryeministër.