BallinaMaqedoni

Mickoski: Kush punon të dielën të paguhet dyfish ose trefish më tepër për atë ditë

A do të ketë ndryshime në zgjidhjen ligjore për të dielën si ditë jo pune, do të dihet pas seancës së ardhshme të Këshillit Ekonomiko-Social (EKS), ku do të bisedohet qartë dhe hapur me punëdhënësit dhe punëtorët, njoftoi sot kryeministri Hristijan Mickoski.

“Mendimi im personal është që të gjithë ata që arrijnë një marrëveshje me punëdhënësit të mund të punojnë të dielën dhe të marrin një pagë dyfish ose trefish më të lartë, ose askush të mos punojë. Ose do të vlejë për të gjithë, ose nuk do të vlejë për askënd, dhe ne nuk do të ndjekim politika të standardeve të dyfishta. Nëse do të ketë ndërhyrje ligjore dhe çfarë natyre do të kenë ato, do të varet nga rezultati i takimit të ardhshëm të EKS. Kemi biseduar tashmë për këtë çështje me sindikatat dhe dhomat e tregtisë, dhe nuk është një temë që duam ta imponojmë. Nuk e kemi diskutuar në një rreth të ngushtë për të marrë më pas një vendim që të mos dimë çfarë të bëjmë me të. Nuk do të bëjmë asgjë me forcë,” tha Mickoski në përgjigje të një pyetjeje në seancën e sotme parlamentare kushtuar pyetjeve të deputetëve.

Në përgjithësi, siç u shpreh Mickoski, po shqyrtohen dy zgjidhje kryesore: ose askush të mos punojë të dielën, ose të lejohet puna për ata që paguajnë një pagë të dyfishtë ditore ose bien dakord për kushte të tjera me sindikatat. Ai theksoi se e diela tashmë është ditë pune për disa profesione dhe operatorë ekonomikë, të cilët, sipas tij, përcaktohen sipas një kornize specifike.

Shtoi gjithashtu se ekzistojnë procese prodhuese për të cilat është e domosdoshme që e diela të jetë ditë pune, për shkak se ndalimi i procesit të prodhimit nuk është i mundur.

“Si Qeveri, po shtrojmë pyetjen: ose askush të mos punojë, përfshirë ata që tashmë punojnë, ose të punojnë ata që dëshirojnë të punojnë, por vetëm me pëlqimin e punëtorëve që do të marrin një pagë të dyfishtë ditore. Ky është dilema që kemi si Qeveri, dhe nuk shohim asgjë të keqe në këtë,” tha Mickoski.

Mickoski theksoi se sondazhet e tyre për matjen e opinionit publik, të cilat i realizojnë tre herë në muaj, tregojnë se 75% e qytetarëve të anketuar janë në favor që e diela të jetë ditë pune për ata që dëshirojnë të punojnë, me kusht që të paguhen me një pagë të dyfishtë ditore.

“Nëse duam të diversifikojmë ekonominë dhe të ndryshojmë modelin dhe konceptin tonë ekonomik, në të ardhmen duhet të fokusohemi në procese prodhuese që nuk mund të ndërpriten. Duhet të mendojmë se ku do të jemi pas pesë deri në dhjetë vjet, sepse realiteti në Evropë po ndryshon, dhe në botë po shfaqen qendra të reja në hartën e prodhuesve kryesorë,” tha Mickoski.