Mickoski: Kemi një shumicë të re parlamentare
Kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski në një postim në profilin e tij në Facebook, pretendon se ka shumicë të re parlamentare.
“Një e ardhme e re po vjen, një kohë e re dhe një shpresë e re. Na presin sfida të forta, të vetëdijshëm dhe mirënjohës për mbështetjen, së bashku do t’ia dalim. Maqedonia do të ketë sukses! Kemi një shumicë të re parlamentare”, ka shkruar Mickoski, duke ndarë foto të përbashkëta të liderit të së majtës Dimitar Apasiev, sekretarit të përgjithshëm të Besës, Arjanit Hoxha, kryetarit të Alternativës Afrim Gashi dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Aleancës Shqiptare, Arben Taravari.
Shumica parlamentare ka 61 deputetë, por VMRO-DPMNE paralajmëron rritje të numrit të deputetëve në mazhorancë. Nesër pritet një deklaratë për mediat.