Michel: Deri më 2030 BE dhe shtetet kandidate të jenë gati për zgjerim
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, bëri thirrje që viti 2030 të caktohet si afati kur Bashkimi Evropian dhe vendet kandidate të jenë të gatshëm për zgjerim, transmeton Euronews Albania.
Gjatë fjalimit në Forumin Strategjik të Bledit, ai përsëriti disa herë se tash e tutje vendeve kandidate duhet referuar si “vende të ardhshme anëtare të BE-së”.
Michel tha se BE-ja duhet të përballet me dilemën se a do të jetë vetëm një union që merret me menaxhimin e krizave apo një aktore që vendos për të ardhmen.
Ai pranoi se rruga e gjatë e shteteve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së, që ka nisur para më shumë se 20 vjetësh, ka shkaktuar zhgënjim te shumë njerëz, si në rajon, ashtu edhe në bllokun evropian.
“Pajtohem me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz kur thotë se BE-ja duhet të mbajë premtimet e veta”, shtoi Michel.
Kësaj radhe, presidenti i Këshillit Evropian bëri thirrje edhe për caktimin e një agjende të qartë e me afate kohore.
“Në kohën kur ne po përgatisim agjendën e ardhshme të BE-së, duhet të vendosim para vetes edhe caqe të qarta. Unë besoj se ne duhet të jemi gati, nga të dyja anët, që më 2030 të zgjerohemi. Kjo do të thotë se buxheti i ardhshëm shumëvjeçar duhet të përfshijë edhe këto qëllime tona. Kjo është shumë ambicioze, por e domosdoshme. Dëshmon se ne jemi serioz. Do të krijojë momentum”, tha ai.
Michel paralajmëroi se në samitin e ardhshëm të BE-së liderët do të diskutojnë edhe për procesin e zgjerimit. Por, nga temat në kuadër të zgjerimit, ai përmendi vetëm mundësinë e hapjes së negociatave të anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë, si dhe kthimin e Bosnje e Hercegovinës në agjendë.