Maqedoni

Mexhiti takim me gazetarët: Kah do shkojë Aleanca për Shqiptarët ata do bëjnë Qeverinë

Ministri i shëndetësisë Fatmir Mexhiti në takimin e fundvitit me gazetarët ka numëruar sukseset e arritura gjatë vitit 2023. Si sukses të parë ai numëroi reformën në mbrojtjen primare shëndetësore.
“Askush nuk besonte se do ia dalim, por për këtë reformë morëm komplimente në Kongresin e OBSH-së në Astana ku Maqedonia e Veriut u përmend nga kryesuesi i OBSH-së për Evroopë si shembull suksesi”, tha Mexhiti.
Si sukses të radhës Mexhiti përmendi edhe revidimin e listës pozitive të barnave që ndodh pas 13 viteve, shkruan lideri.mk.
“I thjeshtësojmë procedurat që qytetarët të kenë qasje më të lehtë tek shërbimet shëndetësore”, shtoi Mexhiti.
Si problem ai ka përmendur rastin e onkologjisë, por ka apeluar tek Prokuroria që të veprojë. Në këtë pjesë të brifingut Mexhiti ka prekur edhe momentin politik.

“Pas zgjedhjeve, vendi ynë i dashur nuk do të jetë i njëjtë. Unë kam besim të madh te miku im ministri i drejtësisë, Krenar Lloga dhe reformat që po i zbaton”, theksoi Mexhiti, duke shtuar se përgjegjësi do japin të gjithë që kanë gabuar. Ai eshtë i bindur se partia e tij Aleanca për Shqiptarët edhe pas zgjedhjeve të ardhshme do të vazhdojë reformat e filluara sepse do jetë pjesë e Qeverisë.
“Me kë do shkojmë ne, ata do jenë në Qeveri”, u shpreh Mexhiti.

Në mesin e sukseseve në shëndetësi ai numëoi edhe sigurimin e ilaçit Trikafta, shkruan lideri.mk.

“Kjo është hera e parë që siguruam Trikafta. Kemi futur edhe 6 lloje të barnave për sëmundjeve të rralla në listën pozitive. Mjetet për furnizime me pajisje i dyfishuam, nga 2.6 milionë në 5 milionë euro për vitin e ardhshëm. Jam i gëzuar që siguruam 650 senzorë për matjen e sheqerit tek fëmijët. Këtë e kam përjetuar emocionalisht sepse për fëmijët dhe prindët e tyre ishte traumë e vërtetë të zgjohen në ora tre të natës për të shpuar me gjëlpërë fëmijët që të masi sheqerin e tyre në gjak”, nënvizoi ministri Mexhiti.