May 14, 2024
Maqedoni

Mexhiti: Sot u lirua Sasho Mijallkovi, nesër Nikolla Gruevski

Gjykata Penale e Shkupit të martën e pranoi kërkesën e Prokurorisë Publike për ndërprerjen e procesit gjyqësor për “aferën e përgjimeve”, për shkak të vjetërsimit të lëndës dhe ndryshimeve të reja në Kodin Penal, të cilat parashikojnë lehtësira për një sërë veprash që kanë të bëjnë me shpërdorim të detyrës zyrtare.

Ky vendim nënkupton se do të lihen të lirë ish-drejtori i Policisë Sekrete të Maqedonisë së Veriut, Sasho Mijallkov, dhe pesë ish-zyrtarë të tjerë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, të akuzuar për përgjimin e mbi 20 mijë qytetarëve maqedonas, përfshirë politikanë, deputetë, gazetarë, klerikë, opozitarë dhe të tjerë në periudhën nga viti 2013 deri në vitin 2016.

Pas kësaj ka reaguar kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti i cili thotë se sot u lirua Miajllkovi nesër do të lirohet Nikolla Gruevski.

“Sot u lirua Sasho Mijallkovi, nesër Nikolla Gruevski. Hajde tash t’i shohim ku janë fshehur gjithë ata që thonin që po flasim kot!” ka shkruar Mexhiti.