Mexhiti për mbledhjen e Frontit Europian: Dramë në regji të Ali Ahmetit, ka ardhur koha që shfaqjet sikur e sotmja në Tetovë t’i ulin perdet
Kryetari i Lëvizjes Demokratike, pjesë e koalicionit VLEN, Izet Mexhiti ka reaguar pas mbledhjes së sotme të Frontit Europian në Tetovë, ku u nënshkrua deklaratë politike për “mbrojtje të legjitimitetit”, përcjell TV21. Mexhiti thotë se Fronti Europian po e bën këtë pasi është në panik nga humbja e funksioneve, ndërsa sipas tij, përfaqësues i legjitimitetit të shqiptarëve është VLEN-i.
“Të përjetshmit e BDI-së janë në panik. Rrënimi i regjimit 20 vjeçar do të sjellë edhe llogaridhënie për pasurimin e paligjshëm, për krimin e futur në institucione, do të ketë përgjegjësi për korrupsionin politik, për bizneset e familjeve të tyre. Prandaj, drama në regji të Ali Ahmetit që po shfaqet sot në Tetovë është vetëm demonstrim frike nga humbja e privilegjeve me të cilat njëherë u pasuruan, e tani po përpiqen t’a mbrojnë pasurinë e krijuar me paratë tona, derisa qytetari i thjeshtë mezi lidh fillimin me fundin e muajit. E kuptoj dëshpërimin e tyre: 20 vite kanë jetuar në llogari të popullit dhe janë pasuruar me paratë e qytetarit! Qëllimin e kanë një: dëshpërimisht të mbrojnë humbjen e pushtetit, kolltuqet dhe bizneset e tyre familjate, qëllim i kamuflluar me patriotizma e folklorizma. NDRYSHIMI ERDHI! BDI-së dhe shoqërisë së tyre të biznesmenëve u ka skaduar afati i përdorimit. VLEN është faktori i ri legjitim i cili do t’i përfaqësojë shqiptarët. Ne do ta çlirojmë sistemin nga kjo kastë e korruptuar dhe do të hapim mundësinë për njerëz të rinj, kompetent dhe me energji për t’i kontribuar kauzës tonë kombëtare. Për fund, askush të mos ketë dilema: PËRGJEGJËSI DO TË KETË! Ali Ahmeti me shokë s’e kanë fare dertin e legjitimitetit, se e dijnë se që moti e kanë humbur atë. Çështja e vërtetë është se nuk e kanë më LLOTARINË, që ua solli SORAVINË. Ka ardhur koha që shfaqjet sikur e sotmja në Tetovë t’i ulin perdet”, ka shkruar Mexhiti.