September 8, 2024
BallinaMaqedoni

Mesazhet kërcënuese ndaj deputetëve të BDI-së, Gashi, kërkon të zbulohen autorët

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi bëri të ditur se deputetët e BDI-së kanë marrë mesazhe elektronike me kërcënime nga një dërgues i panjohur, shkruan Alsat.

Gashi kërkon që institucionet kompetente të hetojnë incidentin dhe zbulojnë personat që qëndrojnë pas këtyre kërcënimeve.

“Kryetari i Kuvendit dënon ashpër çdo formë kërcënimi, tentativë për dhunë apo nxitje për dhunë. Deputetët zgjidhen drejtpërdrejt nga qytetarët dhe liria e fjalës është e pacenueshme, ajo nuk duhet të kërcënojë lirinë e të tjerëve. Anonimiteti në dërgimin e mesazheve të tilla ose në mediat sociale mund t’i japë dërguesit ndjenjë mosndëshkimi, por duhet të pranojmë që institucionet tona janë aktive dhe të afta. Kryetari Gashi është i bindur se dërguesi do të identifikohet dhe sanksionohet”, thuhet në reagimin e kabinetit të kreut të kuvendit.

Reaguan edhe integristët.

Thonë se BDI qëndron fuqishëm prapa parimeve të saj dhe nuk do të lejojë që këto kërcënime të lëkundin përkushtimin për drejtësi, paqe dhe stabilitet në vendin tonë.

“Jemi dëshmitarë të kërcënimeve serioze dhe mesazheve të dhunshme drejtuar deputetëve të BDI-së, të cilat jo vetëm janë kërcënim për anëtarët tanë, por edhe sulm direkt ndaj vlerave dhe institucioneve demokratike të vendit tonë.. Me akuza të sajuara dhe veprime të dhunshme, ata përpiqen të largojnë vëmendjen e publikut nga problemet reale dhe rezultatet katastrofike të politikave në pushtet”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Partia e Ahmetit iu bën thirrje institucioneve kompetente që të hetojnë këto incidente dhe të nxjerrin para drejtësisë të gjithë përgjegjësit e siç thonë, kësaj fushate terrori dhe frikësimi.

Kërcënimet në adresë të kolegëve të tyre i dënuan edhe nga Aleanca për Shqiptarët.

“Një motiv shtesë për këto veprime paraqet edhe qasje nacionaliste e Qeverisë, gjuha e ashpër që ka filluar të përdoret ndaj shqiptarëve dhe nga eksponentë politikë maqedonas dhe indiferenca totale e partive shqiptare në Qeveri. Ftojmë organet e rendit që të zbardhin këtë rast, kërcënuesit të zbulohen dhe të sanksionohen dhe të dërgohet porosi që do të parandalojnë dhunën sa është ende në fazën e retorikës verbale, thuhet në reagimin e ASH-së së Selës./ Alsat.mk