May 18, 2024
Maqedoni

Mes skandaleve: Bujar Osmani të enjten prezanton programin e kryesimit të OSBE-së

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në cilësinë e kryesuesit të OSBE-së, të enjten në Vjenë do të prezantojë programin e kryesimit të Maqedonisë së Veriut me këtë organizatë.

Në fjalimin e tij, ministri Osmani do të folë për sfidat me të cillat ballafaqoeht organizata, vizioni i Maqedonisë së Veriut dhe planet si kryesues për vitin 2023.

Osmani do të ketë takim edhe me Sekretaren e Përgjithshme të OSBE-së, Helga Schmid, ndërsa pas shpalljes solemne të Maqedonisë së Veriut si shtet kryesues i OSBE-së, është planifikuar që të dy të mbajnë një konferencë të përbashkët për media.

Gjatë vizitës në Vjenë, siç informojnë nga MPJ, Osmani do të ketë takime me ministrin e Punëve të Jashtme të Austrisë dhe presidentin e Konfederatës Zvicerane, Alain Berset. Në takime pritet të shkëmbehen mendime për zhvillimet aktuale në rajonin e OSBE-së dhe për rolin e OSBE-së në trajtimin e pasojave të shkaktuara nga agresioni i Federatës Ruse ndaj Ukrainës.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut e mori kryesimin e OSBE-së nga Polonia më 1 janar të këtij viti.
Fillimin e kryesimit e shënuan disa skandale. Në kulmin e krizës, MPJ deshi të lansojë një fushatë reklamuese mediatike të kushtueshme 100 mijë euro edhe për kundër ligjit që ndalon reklamimin e qeverisë në mediume. Pas reagimit të opinionit dhe Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, MPJ u detyrua ta tërheqë vendimin për reklamim, por përshtypja e keqe për Osmanin mbeti në opinion.

Poashtu u publikuan foto të veturës zyrtare para shtëpisë së ministrit të jashtëm, kurse Osmani njihet edhe si personi që në kohën kur ishte zv/kryeministër pat nënshkruar licencën për kazinot e Sasho Mijallkovit. Që atëherë pozitat e tij në Qeveri janë forcuar edhe për kundër reagimeve negative në opinion.