Merkos i ngritet aktakuzë – Llogaria bankare e komunës e bllokuar, kryetari bleu veturë 67 mijë euro
Kryetari i Strugës Ramiz Merko ka përfunduar me aktakuzë për keqpërdorim të pozitës zyrtare. Shkak është bërë blerja e makinave, përfshirë edhe veturën luksoze Audi, në periudhën kur komuna e Strugës kishte llogari të bllokuara bankare, shkruan Alsat.
Që në vitin 2020 Komisioni kundër korrupsionit ka dorëzuar nismë për ndjekje penale të Merkos për blerjen e automjetit me vlerë 67 mijë euro. Kështu ka bërë të ditur në brifing me gazetarët, kreu i Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Islam Abazi së bashku me prokurorë të tjerë.
Lidhur me blerjen e qendrës tregtare “Soravia” nga nipi i Ali Ahmetit, Drin Ahmeti, prokurorët thanë se njësitet e MPB-së punojnë në mënyrë aktive për mbledhjen e dokumentacionit. Mirëpo, ata nuk janë përgjigjur nëse ka dëshmuar edhe Drin Ahmeti.
Prokuroria bën me dije se hetimi paraprak përfshin kundërzbulimin financiar dhe Drejtorinë e të Ardhurave Publike si dhe konstatohet lidhja e personave në këtë rast me institucionet shtetërore. Të dhëna kërkohen edhe nga Fondi i Inovacionit, Ministria e Brendshme, si dhe të dhëna nga vendet e treta pa specifikuar se cilat.
Prokurorët ndanë edhe informacione për rastin “Bektel & Enka”. Ata shqyrtojnë prokurimin publik për përzgjedhjen e kompanisë që duhet të mbikëqyrë ndërtimin si dhe aktet ligjore. Ata thonë se janë duke bashkëpunuar me Entin e Revizionit dhe është mbledhur dokumentacion i gjerë.
Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar njoftoi se së shpejti do të merret vendim për ndërtimin e spitaleve modulare, për të cilat janë mbledhur të dhëna nga Ministria e Shëndetësisë, ajo e Transportit dhe Lidhjeve, si dhe Banka Botërore.
Në rastin e ndërtimit pranë Holiday Inn, prokurorët nuk konstatuan dëme në buxhet. Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, nuk do të ndiqet penalisht për rastin me stacionin e kontrollit teknik Via Komerc, për të cilin Spasovski nuk e ka nënshkruar vendimin për mbylljen e tij, edhe pse në të janë konstatuar parregullsi.
Abazi, i pyetur për kritikat e Komisionit kundër korrupsionit që shumë gjetje nuk janë shndërruar në aktakuza, ka thënë se shumica e tyre janë bosh dhe nuk ka bazë për të vepruar sipas tyre.