Merko është i pari, por nuk do të jetë i fundit!
Kryetari i komunës së Strugës, Ramiz Merko është politikani i parë nga Maqedonia e Veriut në listën e emrave më të rinj të shpallur Non Grata nga State Departamenti amerikan, por a do të jetë i fundit?
Njohësit e rrethanave politike në Shkup që i ka konsultuar Lideri.mk, thonë se lista me siguri do të zgjerohet edhe me emra tjerë.
Sipas tyre, një gjë të tillë veçmë e paralajmëroi ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Aggeler.
Aggeler thotë se qytetarët e RMV-së meritojnë integritet nga zyrtarët publikë dhe sistem që do t’i nxjerrë ata para përgjegjësisë, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Sot Sekretari i Shtetit shpalli kryetarin e Strugës Ramiz Merko dhe familjen e tij, të padëshiruar për hyrje në Shtetet e Bashkuara, bazuar në gjetjet për korrupsion të rëndë. Njerëzit në Maqedoninë e Veriut meritojnë integritet nga zyrtarët e tyre publikë, dhe sistem që do t’i nxjerrë ata para përgjegjësisë. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të përjashtojnë secilin – pavarësisht pozitës ose partisë politike, i cili minon shtetin e së drejtës, duke rrezikuar progresin dhe stabilitetin e Maqedonisë së Veriut. Kryetari Merko është i pari këtë vit dhe presim tjerë në të ardhmen. Korrupsioni ka pasoja”, ka thënë të martën ambasadorja Aggeler.
Fjalia e ambasadores Ageles se “Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të përjashtojnë secilin – pavarësisht pozitës ose partisë politike, i cili minon shtetin e së drejtës, duke rrezikuar progresin dhe stabilitetin e Maqedonisë së Veriut”, sipas analistëve është paralajmërim se “këmba do të shkojë zhag”.
Gazetari Xhenur Iseni, në deklaratën e tij për Lideri.mk, vlerëson se kjo paraqet vetëm fillim të një lloj vetingu që përflitet gjatë kohë, por nuk është aplikuar në praktikë.
“Natyrisht se kjo është vetëm një pikënisje e shtetit amerikan, sepse deri tani BDI dhe Qeveria vetëm në gojë e kishin vetingun, por në vepër askund. Dje SHBA iu dha mesazh të qartë se të korruptuarit nuk duhet të kenë vend në kryerjen e funksioneve publike. Dhe kjo është vetëm fillimi i një liste të gjatë në periudhën në vijim, dhe jam mëse i sigurt se në këtë listë më shumë do ketë figura të partisë së Ahmetit. 20 vjet në pushtet dhe të mos kenë bërë “asgjë”, është e pamundur dhe këtë gjithë e dinë”, thekson Iseni.
Analisti Besim Nebiu në një bisedë për portalin “Lokalno” thotë se vendimi i SHBA-së për të sanksionuar politikanët e korruptuar përmes sanksioneve “simbolike” të ndalimit të hyrjes në SHBA është i mirë, por njëkohësisht edhe selektiv dhe i vonuar.
“Për këtë arsye, sanksionimi i vetëm një zyrtari nuk do të kishte kuptim dhe do të ishte me përfitim të kufizuar – prandaj pres që lista të zgjerohet me një numër më të madh zyrtarësh, si të qeverisë aktuale, ashtu edhe të qeverisë së mëparshme”, ka deklaruar Nebiu./Lideri