Mërgimtarët presin me orë të tëra në kufirin e Tabanocit
Pritjes së gjatë nuk i rezistoi dot ky burrë i moshuar, i cili më një fëmijë në krah vendosi ta kalon kufirin në këmbë.
Ky është një tjetër imazh i pritjes. Një fëmijë që i është dorëzuar lodhjes, ndërsa këta udhëtarë prisnin jashtë që autobusi me të cilin udhëtonin të ecte pak metra para.
Udhëtar të mllefosur dhe të lodhur. Pritja thonë është më e rëndë në prag të shtëpisë.
“Kur vijmë këtu, duam të kthehemi prapa nga maltretimet që na bëjnë dhe kjo është e padrejtë. Shteti i Maqedonisë neve si qytetarë të këtij vendi që neve bëjnë investimin më të madh, nëpërmjet neve punon i gjithë shteti dhe të maltretohemii në këtë mënyrë, për besë është e padrejtë. A ka mundësi me e pyet një politikan, a është e drejtë?”, tha një udhëtar.
“Kam pritur gjatë rrugës Kroaci-Sloveni kam pritur diku 6 orë, diku 8 e diku 10 orë. Ka qenë një rrugë e mundimshme. Kishte shumë trafik. Sidomos ne shqiptarët në Serbi presim shumë”, u shpreh një tjetër udhëtar.
“A keni pritur diku gjatë në kufi? Vetëm në Maqedoni tani që po presim. Askund tjetër. Duhet të lehtësohen sepse të këtij vendi jemi. Të paktën këtu kur të vijmë. Kur shkon në shtëpi babai të hap derën, nuk ta mbyll”, theksoi një tjetër udhëtar.
“Sa orë ke që udhëton? 12 ose 13 orë, aty diku. A ke pritur diku në kufi? Jo askund, vetëm këtu”, deklaroi një udhëtar.
“Mos thoni në televizion se pritet nga 2 orë, por pritet nga 22 orë. 33 vite jetoj në Zvicër, herë e parë që shoh se në kufirin tonë lëviz pak diçka, punohet. Deri tani gjithmonë kam pritur 2-3 orë”, shtoi një tjetër.
Dy ditët e fundit janë regjistruar pritje të gjata në kufirin Maqedoni-Serbi, Serbi-Hungari dhe Serbi-Kroaci. Fluks i ri pritet edhe gjatë javës që vjen falë festave të fund vitit. Imazhe të tilla të pritjeve përsëriten tashmë disa vite edhe pse autoritetet tona në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur” ndërmorën hapa për vënien në funksion të opsionit “one stop shop” por që nuk dha efektin e duhur në mënjanimin e pritjeve./Alsat.mk