Kolumna

Menaxhim i mirë i shkollave për më shumë cilësi

Një nga dobësitë më të dukshme të menaxhimit të shkollave është se ato nuk e kanë ndjenjën e interesit të përgjithshëm mbase ato i vendos partia. Sepse, kryetari i komunës kur të dëshiron – e shkarkon drejtorin e shkollës, ndërkaq ministri i Arsimit kur të dëshirojë ia merr kompetencat kryetarit të Komunës në fushën e arsimit

Nga Prof. Xheladin MURATI

Politika arsimore dhe pedagogjia duhet të punojnë për një model të ri të menaxhimit të shkollës për të rritur cilësinë dhe për ta bërë mësimdhënien më efikase. Sot në botë, transformimet bashkëkohore të shkollave janë shkaktarë të ndërrimeve të thella në përmbajtje apo kurrikulë, në drejtim, në infrastrukturë, në cilësi etj. Këto ndërrime prodhojnë ndryshime edhe në menaxhimin e tyre. Menaxhimi ka për qëllim që të mbërrijë në zgjidhje të qëndrueshme të organizimit të shkollës, rinovimin e strategjive që vlerësojnë dhe dokumentojnë shkallën e efikasitetit dhe të suksesit dhe dizajnimin e kujdesshëm të veprimtarisë pedagogjike. Menaxhimi i mirë e shndërron shkollën në ambient të bukur dhe të shëndetshëm, me hapësira tërheqëse dhe aktive, që në planin pedagogjik promovojnë qëndrueshmëri, cilësi, efikasitet.

PREMISAT

Shkolla duhet të ketë hapësirë për të bërë ndryshime në menaxhim, planifikim dhe programim të punës mësimore.
Burimet e krizës së sotme të demokracisë rrjedhin nga politizimi dhe partizimi i shkollës dhe arsimit.
Menaxhimi i shkollës ka prioritetet, sfidat dhe (mos)arritjet.
Elementet që një menaxhues e bëjnë efikas janë: shkathtësitë, dija dhe informata.
Pavarësia e shkollës dhe arsimit nga politika partiake dhe bashkëpunimi me faktorin pedagogjik është kyç në objektivizimin e cilësisë arsimore.
QASJET DHE ASPEKTET

Me menaxhim kuptojmë formën sublime të artit të drejtimit të shkollës dhe jo vetëm, në të cilën veprimet e të tjerëve (mësues, administrator, punëtor teknik) për shtjellimin dhe kuptimin e veprimeve mësimore dhe punën integruese me nxënës e cila kërkon shkrirjen e të menduarit pedagogjik për arritjen e objektivave arsimore në shkollë. Pra, menaxhimi i shkollës është një rreshtim, radhitje, një organizim i udhëheqësit të shkollës që vendos funksionalitetin dhe harmonizimin e plotë të punës dhe veprimeve të planifikuara. Në shkollë çdo ditë përballemi me situata të ndryshme, të cilat me zotësi e thjeshtësi duhet të dimë t’i përballojmë. Besoj se me aftësi menaxhuese dhe vullnet arrihet çdo gjë madje edhe tejkalimin e krizave serioze që paraqiten në shkollë. Shkolla menaxhohet nga autoritete pedagogjike e shfrytëzohet dhe ndahet nga të gjithë anëtarët e bashkësisë së shkollës. Në fakt, konceptet e qëndrueshmërisë dhe të menaxhimit janë dy koncepte bazë që shfrytëzohen për sigurimin e cilësisë.

Menaxhimi i drejtë krijon raporte që e lehtëson bashkëpjesëmarrjen dhe rregullon marrëdhënietë ndërpersonale në kolektivin e shkollës. Kjo është mënyra që e shpreh shkollën si produkt i demokracisë. Sepse shkolla është vendi ku të gjithë, pavarësisht mundësive si mësuesit, nxënësit, administratorët, personeli ndihmës marrin pjesë në ndërtimin e atmosferës dhe kushteve për punë pedagogjike. Sipas këtij koncepti menaxhimi është njëra nga tri shtyllat e qëndrueshmërisë pedagogjike të shkollës. Modeli dhe organizimi i shkollës efikase e cilësore duhet të mbështetet dhe ndërtohet mbi baza pedagogjike dhe jo politike-partiake. Ajo duhet të jetë e pavarur, e depolitizuar dhe e departizuar. Modeli i ri i menaxhimit të shkollës nënkupton respektimin e këtyre elementeve bazë:

Së pari, efikasitet më të madh në procesin e mësimdhënies.

Së dyti, model të organizimit territorial të shkollave për shkak të zvogëlimit të numrit të nxënësve.

Së treti, funksionim pedagogjik cilësor në krijimin e mekanizmave dhe instrumenteve për zhvillim të mësimdhënies dhe matjeve pedagogjike.

Së katërti, ndërtimin e ambientit të shkollës për përmirësim të jetës dhe punës në të.

Së pesti, ngritja e bashkëpunimit të shkollës me shërbimet pedagogjike (BZHA, Inspektorati Arsimor, pedagogët dhe psikologët e shkollave, asistentët mësimor etj.).

Këto elemente supozojnë ndryshime qenësore në organizimin dhe funksionimin e shkollës. Organizimi aktual i shkollave tregon dobësi sistematike, të cilat reflektohen përmes mosfunksionimit pedagogjik të shkollës, veçanërisht të shkollave të vogëla ose atyre ku numri i nxënësve është zvogëluar dukshëm. Organizimi i shkollave apo ndërtimi i modelit të ri të menaxhimit me to ndikon në krijimin e sfidave për veprim, sfida të paparashikuara për të cilat duhet të kërkojnë zgjidhje vetë shkollat po edhe politika arsimore. Çka nënkuptohet me menaxhim efikas të shkollës? Me këtë kuptojmë arritje të prioriteteve në punë!. Prioritetet, sfidat dhe arritjet në menaxhimin e shkollës reflektohen dhe kushtëzohen nga disa komponentë:

– përfshirjen e të gjithë bashkësisë së shkollës, problemet e vërteta dhe zgjidhjen e drejt të potencialeve bartëse të aktiviteteve të shkollës,

– projektet dhe idetë që rrjedhin nga një punë e tillë e që dalin nga nevoja për organizimin e punës cilësore të shkollës,

– projektimi duhet të bazohet në tri elemente thelbësore: funksionalitet (pjesëmarrja e të gjithëve), respektim i të gjithëve (ndjeshmëri dhe harmoni) dhe impakt pedagogjik.

– planifikimin gjithëpërfshirës të shkollës si mjedis pedagogjik, shoqëror e kulturor,

– konceptimin e proceseve zhvillimore përmes pjesëmarrjes për të përmbushur nevojat e shkollës.

Qëllimi parimor i ndërtimit të modelit të ri të organizimit të shkollave nënkupton disa elemente:

– shkollave duhet t’u jepen të drejta maksimale për organizimin e jetës së shkollës;

– shkollat duhet të kenë një funksionalitet më të mirë të veprimit e të jetës së nxënësve brenda shkollës;

– shkollat duhet të mbështeten në situata reale të punës;

– shkollat të menaxhojnë burimet profesionale, kapacitet pedagogjike;

– burimet financiare të jenë të qëndrueshme;

– menaxhimi i shkollës të jetë efikas e cilësor,

– ngritjen e sensit të përgjegjësisë dhe etikën e punës.

Mbi bazë të këtyre elementeve menaxhimi i shkollave duhet të merr më shumë funksionalitet. Në këtë drejtim mendoj se këshillat e shkollave duhet të kenë kompetenca më të mëdha në vendosje dhe vendimmarrje. Me përparimin e punës edukativo-arsimore të merren këshilltarët pedagogjik, ndërkaq me problemet juridike të merren inspektorët e arsimit. Fokusimi më i madh i menaxhuesit në shkollë është qëndrimi i tij dhe i domosdoshëm për bashkëpunim me gjithë strukturat e shkollës. Për ndërtimin e pushtetit udhëheqës menaxhuesi përballet me disa pyetje: a mundem ta bëjë dhe si do ta bëj. Në fakt, ai gjendet para dilemave të shumta. Detyrat e menaxhuesit të shkollës janë të shumta, këtu po shënoj më të rëndësishmet:

– të zhvillojë metodologji në planifikimin e veprimtarive të shkollës,

– të inkurajojë pjesëmarrjen aktive të të gjithëve në planifikim,

– të promovoj qasjen e integruar të planifikimit pedagogjik,

– të zhvillojë ndjenjën e përgjegjësisë së kolektivit të shkollës për mjedis pune në shkollë.

Menaxhimi i shkollës sikur edhe puna pedagogjike sot është në udhëkryq: midis traditës dhe modernizimit, midis dijes dhe dëshirës apo mundësisë, midis aftësisë dhe politikës, midis demokratizimit të shkollës dhe rënies së vlerave në arsim. Puna e menaxhuesit sot është shumë më e vështirë se më përpara. Menaxhuesi sot duhet të ketë ideal të fortë nëse do ta bëjë punën e tij me ndershmëri dhe të jetë i suksesshëm. Menaxhuesit më të mirë janë ata që jo vetëm kanë më shumë kurajo, për sa i përket vetëdijësimit për punën me përgjegjësi, por edhe jep më shumë liri e autonomi profesionale për mësuesit dhe përkrahjen e përvojave e iciativave personale. Prandaj duhet të ripërkufizojmë konceptin e menaxhimit të shkollës.

PËRFUNDIM

Menaxhimi i mirë i shkollave i mbështetur në planifikim dhe projektim cilësor mundëson që ato të funksionojnë brenda të gjitha rregullave dhe standardeve pedagogjike. Një nga dobësitë më të dukshme të menaxhimit të shkollave është se ato nuk e kanë ndjenjën e interesit të përgjithshëm mbase ato i vendos partia. Sepse, kryetari i komunës kur të dëshiron – e shkarkon drejtorin e shkollës, ndërkaq ministri i Arsimit kur të dëshirojë ia merr kompetencat kryetarit të Komunës në fushën e arsimit. Gjithashtu, të merret në konsideratë mundësia e shkrirjes apo integrimit të shkollave që rezultojnë të jenë të paqëndrueshme për shkak të numrit të vogël të nxënësve. Kësisoj shkollat do të bëhen më funksionale. (koha.mk)