Mein, vazhdojnë kërkimet për autorin e dyshuar për vrasjen e 18 personave
Policia vazhdon kërkimet për kapjen e autorit të dyshuar për vrasjen e 18 personave dhe plagosjen e 13 të tjerëve, në qytetin Lewiston, në shtetin e Meinit.
Qindra punonjës policie janë vënë në kërkim të 40 vjeçarit Robert Card, rezervist i ushtrisë amerikane, i trajnuar për përdorimin e armëve, i cili hapi zjarr rreth orës 7 të mbrëmjes me orën lokale, të mërkurën, në një bar sportiv.
Sipas të dhënave paraprake, ai kishte probleme të shëndetit mendor dhe i ishte nënshtruar një trajtimi për afro 2 javësh para disa muajsh. Nuk janë dhënë më tepër detaje mbi trajtimin apo gjendjen e tij.
Banorëve të Lewistonit, qyteti i dytë më i madh në shtetin e Meinit u është kërkuar të mbyllen në shtëpi. Edhe shkollat janë mbyllur.
“Është një ditë e errët për shtetin e Meinit”, tha guvernatorja Janet Mills në një konferencë për shtyp. “Robert Card cilësohet i rrezikshëm dhe i armatosur dhe policia këshillon që të mos i afroheni atij, në asnjë rrethanë”, shtoi ajo.
Policia gjeti një automjet të bardhë që dyshohet se Robert Card e përdori për të shkuar në qytetin e Lisbonës. Policia u kërkoi edhe banorëve në Lisbonë të qëndrojnë në shtëpi.
Agjencia e lajmeve Reuters njoftoi se në mëngjesin e së enjtes në të dyja qytetet kishte një qetësi të frikshme, në rrugë shiheshin pak njerëz dhe pothuajse asnjë makinë.
Shumë biznese në qendër të qyteteve ishin mbyllur.
Policia tha se fillimisht u njoftuan të shtëna në një bar sportiv ku mbetën të vrarë 6 burra. Më pas, u regjistruan të shtëna në një restorant, 7 vetë humbën jetën. Tre të tjerë vdiqën në spital, si pasojë e plagëve të marra.
Presidenti Joe Biden shprehu ngushëllimet për atë që e cilësoi një ngjarje tragjike dhe u bëri thirrje republikanëve në Kongres për të bashkëpunuar në miratimin e ligjeve më të forta për armët.
Ky është rasti i 36 i vrasjeve në masë në Shtetet e Bashkuara gjatë këtij viti.