Maqedoni

Mediumet e afërta me pushtetin: Alternativa kërkon ministrinë e shëndetësisë dhe kryeparlamentarin

Partia Alternativa e Afrim Gashit është paraqitur me kërkesa që vlerësohen si maksimaliste si kusht për t’u bërë pjesë e qeverisë. Burime të larta partiake i thanë KDP se Alternativa kërkon disa ministri, midis të cilave edhe atë të shëndetësisë, resor që e mban Venko Filipçe i LSDM. Partia e Gashit nuk është ndalur këtu por ka kërkuar edhe postin kryetarit të Kuvendit, që e mban Talat Xhaferi i BDI.

“Me këto kërkesa Alternativa dëshiron të ketë hise sa BDI, edhe pse ka trefish më pak deputetë”, tha burimi.

Ndërkohë, Alternativa nuk ka marrë vendim nëse do të bëhet pjesë e qeverisë edhe në mbledhjen e Kryesisë Qendrore, që sonte e mbajti në Shkup. Njoftohet se Kryesia vetëm ka autorizuar kryetarin Gashi të negociojë me kryeministrin aktual Zoran Zaev ose eventualisht me mandatarin e ri, për përfshirjen eventuale në Qeveri.

“Ne do ta dëgjojmë versionin e tyre të zgjidhjes së këtij ngërçi, do të shohim a ka gatishmëri për program të përbashkët qeveritar, dhe a ka gatishmëri që në emër të këtyre synimeve partnerët e deritanishëm qeveritarë të heqin dorë nga një pjesë e pushtetit të tyre, për të krijuar një ekuilibër të ri”, tha zëdhënësi i Alternativës, Orhan Murtezani.