Kolumna

Më mirë kryeministri Rama të rriste rrogat 10 për qind para zgjedhjeve, se të premtojë 40 për qind pas zgjedhjeve

“Rritja e pagave pas zgjedhjeve”, një premtim që kurrë nuk e përmbushin pushtetarët në Ballkan

Shkruan: Arben Ciko

Rritja e rrogave pas zgjedhjeve është një truk i kamotshëm që përdoret nga politikanët e pushtetit në Ballkan. Në fillim qytetarët u besonin, por tashmë të gjithë e kanë mësuar se bëhet fjalë për premtim që kurrë nuk plotësohet. Si alibi për mosplotësimin e këtij premtimi herë meret lufta në Siri, herë pandemia, herë lufta në Ukrainë, kryesorja nuk përmbushet.

Sipas mendimit tim z. Rama bëri gabim të madh që doli me premtim të tillë para primareve të 14 majit, sepse shqiptarët janë ndoshta populli që më së shumti është “ngopur” në Evropë me premtime për rritje rrogash pas zgjedhjeve. Do të ishte shumë më mirë ti rriste pagat 5 ose 10 për qind para zgjedhjeve, se të premtojë 30 ose 40 për qind pas zgjedhjeve. Logjikisht, një pushtet që ka kapacite t’i rrisë pagat për 40 për qind pas disa muajve, nuk do duhej ta ketë fare problem t’i rrisë 5 ose 10 për qind tani.
Por loja që po bën Rama dhe PS, tregon se ata nuk kanë kapacitet të rrisin pagat as tani, e as pas zgjedhjeve.

Në këtë mënyrë Rama dhe partia e tij dalin blof para opinionit.

Blofi është edhe më i qartë kur Ligji për rritjen e pagave bllokohet nga deputetët e Alibeajt, për të cilët edhe fëmijët në djep e dinë se janë më lojal ndaj Edi Ramës se vetë deputetët e PS-së.

Këtë blof të Ramës me pagat do ta paguajnë më 14 maj kandidatët e PS-së për kryetar bashkish. Më vjen vërtet keq se nga ky blof mund të pësojnë edhe kandidatë të shkëlqyeshëm të PS-së në disa bashki. Është mirë që ata vetë të dalin publikisht e të distancohen nga loja e Ramës dhe Alibeajt me (mos)rritjen e pagave.

Parashtrohet pyetja se pse Rama del me premtim të tillë, që nuk i besojnë as vetë socialistët, e lëre më votuesit neutralë, që siç dihet përcaktojnë fituesin e zgjedhjeve?

Sipas mendimit tim bëhet fjalë për premtim të dhënë në situatë dëshpërimi. Në mungesë të ndonjë atuje tjetër dhe kur janë harxhuar të gjitha premtimet e dhëna në zgjedhjet e mëhershme, pasi kanë rezultuar premtime të rrejshme, Rama e përdor një “karrem” me shpresë se ndoshta shqiptarët kanë harruar premtimet e dështuara gjatë 10 viteve të kaluara dhe do i besojnë edhe një herë.

Nëse për opinionin shqiptar, duke përfshi edhe atë socialist, ky gabim i Edi Ramës është i pakuptueshëm, personalisht e kuptoj gjenezën e këtij gabimi. Është mësuar kryeministri në ikje (lirisht mund ta quaj kështu z. Rama) 10 vite të garojë në zgjedhje të trukuara. Është mësuar të “hapë kosën” me premtime boshe, apo siç themi ne nga Dibra “tia fusë shatra me të katra”, duke e ditur se në garën e trukuar me Alibasha e Celibasha, rezultati do i dalë ashtu siç e ka parashikuar në tullonin e bastores së tij elektorale.

Tani situata ka ndryshuar dhe fatin e shqiptarëve më nuk mund ta trukojnë as Alibashët e as Celibashët. Këtë e din më së miri vetë kryeministri dhe ekipi i tij i ngushtë. Ata vazhdojnë të bëjnë gabime, të vetëdijshëm se edhe ashtu janë në fund të karrierës politike. Është për të ardhur keq se humbës në këtë rast do jenë edhe disa kandidatë socialistë që ende kanë se çka t’i ofrojnë skenës politike në Shqipëri.