Maqedoni

Më 1 shtator shkolla e Vizbegut duhet të jetë gati, banorët: Shpresojmë të mos zhgënjehemi

Këtë vit shkollor fëmijët e Vizbegut po e përmbyllin duke ecur 3 kilometra rrugë për të mësuar, në mungesë të objektit në rajonin e tyre. Shkolla në 1 shtator duhet të jetë gati dhe t’i hap dyert për nxënësit. Omeri është nxënësi i parë i regjistruar në klasë të parë. Banorët shpresojnë të mos zhgënjehen. Ndërkohë ministri i Arsimit thotë se po bëhen përgatitjet e fundit.

“Objekti që po shihni prapa meje është shkolla fillore në Vizbeg. Punimet për ndërtimin e saj tashmë janë drejt përfundimit. Sipas autoriteteve përkatëse, më 1 Shtator, kjo shkollë duhet të hap dyert për të pranuar dhjetëra filloristë të kësaj pjese”, raporton Melihate Rustemi, gazetare.

Ndër të parët që duhet të mësoj në këtë shkollë është Omeri. Fillimisht, në klasë të parë ai është regjistruar në shkollën fillore “26 Korriku” në Shuto Orizarë në rast se shkolla në Vizbeg nuk lëshohet në përdorim.

“Kur ta përfundojnë shkollën do të vijmë te shkolla e re. Unë jam ndër nxënësit e parë që do të vij në këtë shkollë”.

Banorët e Vizbegut shpresojnë të mos zhgënjehen më 1 Shtator. Siç thonë ata, tashmë me dekada kanë përjetuar vështirësi të shumta me dërgimin e fëmijëve në shkolla të komunave të tjera.

“Ne e dimë që më 1 Shtator do të lëshohet, a është e vërtet ose jo e di vetëm ministria. Kjo është shumë mirë për ne prindërit, është afër. Për gjithë Vizbegun është mirë, është afër, nuk i bartin fëmijët lart e poshtë. I kanë bartë shumë, në Shutkë e vende tjera, janë munduar shumë me makina”.

Nga Ministria e Arsimit thanë se sektori për arsim fillor po bën përgatitjet e fundit për numrin e nxënësve dhe stafin mësimor që do të angazhohet në këtë shkollë.

“Sektori për arsim fillor po grumbullon të dhënat e gjithë fëmijëve të cilët janë nga zonat e ndryshme dhe po grumbullon të dhënat e kuadrit mësimor që do të kyçet në shkollën e Vizbegut. Kuadri pedagogjik profesional do të jetë punësim i ri në shkollë, administrate gjegjësisht ndërsa kuadrin tjetër do të mund ta shfrytëzojmë edhe nga shkollat tjera”, tha Jeton Shaqiri, ministër i Arsimit.

Pas shumë vitesh kërkesë, objekti i shkollës fillore në Vizbeg nisi të ndërtohet në janar të vitit 2022, me afat ndërtimi prej 18 muajsh. Sipas projektit, në këtë shkollë pritet të mësojnë 500 nxënës në 17 paralele. Për shkak të mungesës së shkollës fillore në Vizbeg, mbi 1400 nxënës të kësaj lagjeje janë të detyruar të mësojnë në shkolla të ndryshme të tre komunave të Shkupit, Butel, Çair dhe Shuto Orizarë. Për të mbërritur në shkolla, nxënësit bëjnë rrugë në këmbë mbi 3 kilometra. /Alsat.mk