Maqedoni

Mbledhje përkujtimore në gjimnazin “Zef Lush Marku”: Zeqiri dha kontribut të veçantë për arsimin

Për të nderuar jetën dhe veprën e drejtorit të ndjerë të shkollës së mesme “Zef Lush Marku”, Faruk Zeqiri, në këtë shkollë u mbajt mbledhje përkujtimore. Zeqiri do të mbahet mend për kontributin e jashtëzakonshëm në sferën e arsimit, por edhe për modestinë dhe altruizmin e tij, u tha me këtë rast.

“Drejtorin tonë të gjithë do ta kujtojnë si model të rrallë të njeriut të jashtëzakonshëm, i njeriut të punës, dijes, durimit, maturisë, fisnikërisë e dashurisë njerëzore, gjithnjë duke përcjell padrejtësinë në heshtje me durim të madh.”, – theksoi ndihmësdrejtori, Arben Memeti.

“Asnjëherë nuk do ta harrojmë drejtorin tonë më të dashur, jetoi shkurt, por la shumë vepra dhe punë të mira pas, që kurrë nuk do të harrohen.”, , deklaroi nxënësja e ZLM-së, Ardita Emini.

“Kur dikush ndahet kaq papritur dhe në moshë kur e ke jetën para, bën plane ambicioze që nga ato personale, familjare, profesionale dhe këto kur ndërpriten keqardhja dhe dhembja matet me atë që e kemi humbur.”, – u shpreh një familjar i të ndjerit, Enes Zeqiri.

Bashkëpunëtorët e tij do të rikujtojnë aftësitë e veçanta menaxheraile që tregoi gjatë udhëheqjes me gjimnazin” Zef Lush Marku”, potencuan nga MASh dhe Komuna e Çairit.

“Faruku në kuptimin e plotë të fjalës ishte njeri patriot, mik, shok, udhëheqës cilësor, por edhe vizionar që dha kontribut të madh në arsimin e popullit shqiptar.”, – deklaroi ministri i arsimit, Jeton Shaqiri.

“Gjithnjë me pozitivitet i pranonte thirrjet, kërkesat tona dhe çdo obligim që e merrte para vetes me përpikshmëri e realizonte. Jo rastësisht, kjo shkollë ka menaxhim të mirë, staf dhe të arritura të mëdha.”, – theksoi kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu.

“Humbjen e tij e bashkëndjejmë të gjithë, ndërsa mallin e tij do të tentojmë ta shuajmë duke qenë persona si ai, punëtorë dhe të mirë dhe të mundohemi të plotësojmë boshllëkun që e kemi.”, – u shpreh përgjegjësja e shkollave fillore, Luljeta Qerimi.

Zeqiri ndërroi jetë në moshën 41 vjeçare, ndërsa për një dekadë menaxhoi me sukses gjimnazin ”Zef Lush Marku”. /TVM2/