Mbi 300 parregullsi të regjistruara nga KSHZ-ja, në mbrëmje do të vendoset për tre vendvotimet në Kumanovë
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka vlerësuar që deri në ora 17:00 procesi zgjedhor është duke u zhvilluar i qetë, pavarësisht disa parregullsive të regjistruara, transmeton Portalb.mk.
“Deri në këto momente në KSHZ janë dorëzuar gjithsej 308 kundërshtime për mbrojtjen e të drejtës personale të votimit”, raportojnë nga KSHZ-ja.
Komisioni sqaroi që 75 kundërshtime janë pranuar, 27 janë hedhur poshtë si kundërshtime të parregullta, 38 janë refuzuar, ndërsa tjerat janë duke u përpunuar.
Kryetari i KSHZ-së theksoi që kanë marrë procesverbal edhe nga tre vendvotimet e Kumanovës ku procesi zgjedhor është ndërprerë, ndërsa në mbrëmje pritet të analizohet situate dhe të vendoset.
Ndryshe, në dy vendvotime në Kumanovë për shkak të mosfunksionimit të aparateve UBIG nuk janë hapur me kohë vendvotimet, në një vend 1090 është humbur vula. Deri më tani parregullsi ka raportuar disa herë edhe Ministria për Punë të Brendshme, Prokuroria dhe sektori civil.
Qytetarët e Maqedonisë së Veriut sot votojnë për presidentin e vendit. Kutitë e votimit janë hapur që në orën 7:00, ndërsa do të mbyllen në orën 19:00. Të drejtë vote kanë 1.814.317 persona ndërsa 1.713.758 votues janë të regjistruar për votim në 3.480 vendvotime në tërë vendin. Në garë janë 7 kandidatë, kurse këto janë zgjedhjet e shtata presidenciale. Të drejtën e votës deri në ora 17:00 e kanë shfrytëzuar 44.18 përqind.