Mbi 100 milionë euro investime të huaja në Kosovë vihen në rrezik
Kompania franceze për prodhim të energjisë elektrike “Akuo Energy”, as pas tre vjetësh përpjekjeje, nuk ka arritur t’i përfundojë procedurat për një investim milionësh në Kosovë.
Në shtetin fqinj – Maqedoni të Veriut – procedurat e tilla i ka përfunduar brenda muajsh.
“Akuo Energy” do të ndërtojë atje një park diellor, në vlerë prej 270 milionë eurosh.
Parku “Stipion” pritet të jetë ndër më të mëdhenjtë në Evropë, me kapacitet prodhimi prej 350 deri në 400 megavat rrymë në orë.
Qeveria në Shkup thotë se procedurat e kompanisë për investime në këtë projekt kanë nisur këtë vit dhe kanë përfunduar për disa muaj.
“Vonesat eventuale që mund t’i ketë pasur, kanë qenë të natyrës teknike, apo për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe jo për arsye të tjera. Meqë bëhet fjalë për investim strategjik, marrëveshjet përfundojnë në afat sa më të shkurtër të mundshëm kohor”, thuhet në një përgjigje të Qeverisë maqedonase dhënë Radios Evropa e Lirë.
Parku diellor “Stipion” i kompanisë “Akuo Energy” do të ndërtohet gjatë vitit të ardhshëm, thotë Qeveria në Shkup.
Në Kosovë, kjo kompani ka projektin “ÇiçavicaWind Farm” për prodhim të energjisë elektrike me erë.
Projekti i paraparë në Komunën e Vushtrrisë, e cila gjendet rreth 25 kilometra larg Prishtinës, kap vlerën e mbi 100 milionë eurove.
Por, procedurat për investime nuk kanë përfunduar ende.
Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë sqaron se procedurat që duhet t’i ndjekë një investitor i huaj për të investuar në Kosovë, varen nga sektori ku bëhet investimi, pastaj nga vlera e investimit e të tjera.
“Nëse bëhet fjalë për një investim në sektorin e minierave, natyrisht se në atë rast kërkohen pëlqime, leje, licenca, certifikata, vendime, etj., gjë që përfshin më shumë institucione dhe më shumë procedura që duhen ndjekur, për t’u pajisur me të njëjtat. Për agjencinë është e rëndësishme që të sigurohen informatat zyrtare për çdo lloj projekti investues, pastaj vijohet me hapat tjerë, ku, çdo herë, kjo agjenci është në dispozicion të investitorit, për t’ia lehtësuar procesin e plotësimit të dokumentacionit të nevojshëm”, thotë Agjencia për Investime.