Mbështetje për kërkesat e drejta të shqiptarëve në Luginën e Preshevës
Partia e Lirisë mbështet me forcë kërkesat e drejta të shqiptarëve të Luginës së Preshevës për Dinjitet dhe Identitet dhe solidarizohet me protestën e tyre legjitime për respektimin e detyrimeve që rrjedhin nga Konventa Europiane e të Drejtave të Minoriteteve që Serbia ka firmosur, si dhe të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara mes përfaqësuesve legjitim të shqiptarëve dhe Qeverive në Beograd:
1⃣.Plani dhe Programi për zgjidhjen e krizës në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë dhe Marrëveshja e Konçulit e vitit 2001;
2⃣.Marrëveshja për riorganizimin e Trupit Koordinues dhe Rikonfirmimit të parimeve të Marrëveshjes së vitit 2001;
3⃣.Plani 7 pikësh, të cilin Qeveria e Serbisë, në tërësi e ka aprovuar më 2013.
I bëjmë thirrje të gjithë institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare që kanë garantuar këto marrëveshje të reagojnë, veprojnë dhe ruajnë besueshmërinë e tyre.
Ndalimi i çdo formë diskriminimi të shqiptarëve në trojet e tyre shekullore të Luginës së Preshevës, heqja dorë nga praktikat shkombëtarizuese si procesi i pasivizimit të adresave, respektimi i plotë i lirive dhe të drejtave themelore individuale dhe kolektive të shqiptarëve, ndihmon bashkëjetesën ndëretnike atje dhe kontribuon për paqen e stabilitetin në rajon.