Maqedoni

Marsh protestues për të dënuarit e rastit “Monstra”, kërkohet lirimi i tyre

Protesta e sotme kundër rastit “Monstra” zhvilloi rutën e paralajmëruar pa u penguar nga policia. Për dallim nga protesta e 26 shkurtit me motive të njëjta, por në numër më të vogël qytetarëve protestuan, duke vënë theksin te lirimi i të gjithë të burgosurve, sipas tyre, të dënuar në mënyrë të padrejtë përmes proceseve të montuara gjyqësore. Ndonëse policia ishte në gjendje gatishmërie, nuk e pengoi marshin protestues, i cili nisi nga parku i Çairit deri te godina e Qeverisë. Njëri nga organizatorët e protestës tha se represioni policor i ushtruar në protestën e parafundit ka frikësuar qytetarët të dalin lirshëm të shprehin revoltën kundër, siç thonë padrejtësive të bëra ndaj familjarëve të tyre në rastin “Monstra”, “Lagja e Trimave”, “Almiri”, “Alfa” e të tjera.

“Dënimin që po i bënë kjo qeveri janë të njëjta dënime si qeveritë e mëhershme. Ky dëm po shfaqet nëpërmjet politizimit dhe partizimit të prokurorisë dhe gjykatës si dhe përdorimi i tyre për qëllime politike. Ne këtu nuk po kërkojmë lëmoshë, por po kërkojmë drejtësi. Drejtësi evropiane e jo politike, ku krimi nuk dallohet nga përkatësia etnike por nga vepra e bërë. Në këtë shtet kërkohen shqiptarë për tu montuar rastet. Pikërisht, kështu ndodhi me Sopotin, me Alfan dhe në fund me rastin Monstra, ku udhëheqës politik kërkuan patjetër shqiptar për tua mveshur rastin dhe përmes deklaratave të dhunshme dhe dëshmitar të koduar ti dënojnë pa pikë faji me burgim të përjetshëm”, tha Bedri Ajdari, Familjar.