BallinaMaqedoni

Marsh në Shkup për 33 vjetorin e pavarësisë së Ukrainës, e udhëhoqën Mickoski dhe Mexhiti

Bashkë me kryeministrin Hristijan Mickoski, zv.kryeministrin Aleksandar Nikollovskin, ministrin e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Fatmir Limani marshuam për të shënuar 33-vjetorin e pavarësisë së Ukrainës. Përmes një marshi simbolik, u solidarizuam me popullin ukrainas, i cili po përballet që më shumë se 900 ditë me dhimbje e humbje të papërshkrueshme për shkak të pushtimit të paprovokuar të Rusisë.

Kështu njoftoi zëvendës kryeministri i parë Izet Mexhiti pas Marshit të sotëm në Shkup.

“Në rrugët e Shkupit, ecëm bashkë me shumë qytetarë nga Ukraina, të cilëve kryeqendra jonë u është bërë shtëpi e dytë dhe vendqëndrim i sigurt.

Pushtimi rus i Ukrainës është një sfidë ndaj rendit në tërë Evropën dhe një kërcënim ndaj vlerave të lirisë dhe drejtësisë, për të cilat ne qëndrojmë të palëkundur. Megjithatë, edhe sot, sikurse dje, besojmë në triumfin e popullit të Ukrainës”, thekson Mexhiti.

Ai shton se çdo ditë e luftës, fatkeqësisht, është një ditë më shumë pa paqe, një vlerë aq e nevojshme për Ukrainën dhe botën.

“Shpresojmë që përvjetori i ardhshëm i pavarësisë së Ukrainës, ta gjejë popullin ukrainas në paqe, zhvillim dhe drejtësi”, shtoi zv/kryeministri Izet Mexhiti.