Marrëveshja Ohri-II, një histori apo vetëm simbolikë
Shkruan: Ramazan Bekteshi, Kërçovë/USA
Marrëveshja Ohri-I edhe pse ndërkombëtarët e quajtën si një tregim suksesi, për bashkësinë ndërkombëtare dhe MV, ajo në fakt pësoi fiasko më shumë me fajin e shqiptarëve, sepse ata që e morën përgjegjësinë për implementimin e saj e lan në mes të rrugës, sepse ata më shumë ia plotësuan aspiratat politike Gruevskit dhe xhepave të vet, derisa misionin e lanë nën mëshirën e kolapsit.
Pas 22 vitesh po ndodh Ohri-2, tanimë jo në mes shqiptarëve dhe maqedonasve, por në mes shqiptarëve dhe serbëve. Flitet se Vuciqi gjysmë-refuzues e paska zgjedhur Ohrin si vendin më të përshtatshëm në rajon për një takim historik. Tani, para këtij takimi Borreli dhe Lajçaku e kanë hesht frazën “merre ose leje” që aq shumë e kishin theksuar përpara se të pajtohej Prishtina. A do t’i lë edhe një derë të vogël BE-ja Vuçiqit, për t’i kënaq ambiciet e tij të sëmura, ashtu si që janë duke e përkëdhelur tani më muaj për shkak dhe të sanksioneve ndaj Rusisë.
Ohri, ‘me një të ramë’ s’besoj se mbaron punë, andaj ekziston rreziku se Bashkësia ndërkombëtare do ti jap kohë shtesë Vuçiqit, që ai aq shumë dëshiron ta blej edhe për shkak të një pjese të opozitës që i propozon (Gjilas) t’i vë sanksione Rusisë në këmbim për të arritur avantazh në dialog me Kosovën. Por, nëse Serbia zgjedh t’i vë sanksione Rusisë, kjo e dyta ka shanse në shenjë hakmarrje mos të rezistoj karrigen e Kosovës në OKB. Prandaj pozita e Serbisë është pa rrugëdalje kur është në pyetje njohja e Kosovës sipas planit të BE-se edhe pranë refuzimit.
Meqë, Serbia e luan rolin e një ujdhese të vetme shpëtimi për Rusinë në zëmër të BE-së, Rusia, me dekada i ka pas duart e lira që të veprojë lirshëm në Serbi, qoftë në fushën e inteligjencës, ushtarake, ekonomike, si dhe të ndikoj politikisht për më shumë kontroll në rajon. Prandaj, Rusia përmes Serbisë vazhdon t’i thyej sanksionet e BE-së dhe SHBA-s, Aeroporti i Beogradit është bërë bazë e fluturimeve të shpeshta drejte Moskës dhe botës për të furnizuar Rusinë jo vetëm me Ilaçe por edhe me vullnetarë e armatime, fal hezitimit të BE-së që të kontrollojnë se ç’po ndodh me aeroportin dhe qiellin serb në oborr të BE-së. Sipas situatës, Vuçiqi do të hezitojë t’i vë sanksione Rusisë sepse aq sa ai i admiron rusët po aq edhe i ka frike, sepse Rusia është instaluar thellë në Serbi që nga koha e Millosheviqit dhe e mirëmbajtur me zell nga zëdhënësi i tij Daçiq dhe partitë fashiste.
Në gjithë këtë rrëmujë, pos Vuçiqit që kalkulon me dinakëri, opozita shqiptare PDK/LDK e bënë befasinë e radhës. Dy ‘djemtë’ e Escobar-t, Memli dhe Lumiri, që në vazhdimësi kane vajtuar se Kurti po na prish me Amerikën, dhe bile ata u shndërruan në dy ‘alternativa’ të Escobarit, nëse do të dështonte Kurti. U përkëdhelën, hëngrën “karota” shkuan dy herë në ‘pelegrinazh’ në DC dhe kur pritej që ata të vinë në pushtet, dështuan. Andaj, shndërrimi i tyre nga ato ‘sorrat’ te plepat e Prishtinës që vazhdimisht kane lëshuar ‘glasa’ të nxehta nëpër TV studio me vite, por ja që tani brenda javës u konvertuan në ‘skifterë’. Prandaj mos çuditeni, nëse nesër i ndërrojnë fjalët sepse është në pyetje vasaliteti i konfirmuar me ndërkombëtarët.
Derisa mbi Kurtin gjuhen gurë-e-dru nga opozita dhe disa media të blera nga jashtë, por, ai si një rebel siç e quajnë, e disa të tjerë krye fort e uragan, ai marshon rrugës i pa luhatur, edhe kur vajton opozita, edhe kur ankohet Vuçiqi, Borreli, Hilli se Albini s’lëshon pe, edhe kur akuzohet pse “vajtoi” për Gjingjiq-in dhe Ivanoviq-in, edhe pse ai me këtë u tregoi ndërkombëtarëve se regjimi serb i vret edhe të vetit kur i dalin para rruge, qofte në veri të Kosovës nga grupet e organizuara të krimit, qoftë nga klani i Zemun-it të përkrahura nga regjimi i Beogradit.
Pra qëndresa e Kurtit në këto momente është epike kur ballafaqohet me një armik dinak, me një opozitë labile, me ndërkombëtarë të njëanshëm dhe me media si të çiftit të Batonit, që njëkohësisht është mentor i disa mediave në Shqipëri e Kosovë që brenda tri javësh ka lansuar tri teori konspirative e parashikime në emër të gazetarit ‘profesionist’, por që deklarata më shumë i ngjajnë propagandës se realitetit. Parashikimi i tij për 27 shkurtin ishte se Kurti e Vuçiq do ta nënshkruajnë marrëveshjen dhe mund të kishte ceremoni, dhe kur kjo s’ndodhi, ai lansoi një term tjetër per situatën, “tajvanizimi i Kosovës”, një krahasim i çmendur sepse e rriti Serbinë sikur të ishte si Kina, dhe, kur edhe kjo nuk ndodhi, dhe nëse s’pajtohen palët në Ohër, tha se mund të këtë një “Jalte të re” një plan (që si pyet palët) Kosovën e Serbinë.
Lufta e Vuçiqit bëhet për Asociacionin dhe përmes tij ai do të shti nën kthetra pasuritë e Kosovës. Mos përmendja e termit “Asociacion” në tekstin e marrëveshjes bazë të BE-së e bënë atë nervoz, por në anën tjetër për një asociacion shqiptar shprehet kështu: “Asociacioni i Komunave Shqiptare në Serbi është marrëzi, jo reciprocitet”. Derisa, kundërpërgjigjja e Kurtit është kjo: nuk do të bëjë kompromis me kushtetutshmërinë, ligjshmërinë dhe funksionimin e shtetit.
Plani evropian s’është ideal, por aty bëhet fjalë për njohjen e Kosovës pika 2 dhe 5 që në fakt ofron njohje të pavarësisë dhe sovranitetit territorial të Kosovës. Janë këto dy pika që Vuçiq i kundërshton dhe janë në pikëpyetje se a do ti nënshkruaj edhe në Ohër apo do të tentoj të blej kohë shtesë. Beteja më e madhe duhet të jetë te Asociacioni, dhe nëse ai zhveshët nga ato kompetenca që i ka pas dhe mos të jetë mono-etnik dhe në kundërshtim me kushtetutën, ky do të ishte një triumf për Kosovën. A do të mbes Ohri një histori apo vetëm simbolikë, kjo varet nga serioziteti i bashkësisë ndërkombëtare, që në të kaluarën ka qenë zhgënjyes.