Maqedoni

Marrëdhëniet Maqedoni-Rusi janë përkeqësuar dukshëm, por MPJ në Shkup i mbetet “besnike” derivateve ruse

Raportet Maqedoni-Rusi janë në nivelin më të keq në histori, thonë disa ekspertë, duke komentuar zhvillimet e fundit, përkatësisht lëvizjen e Moskës për vendosjen e vendit në listën e shteteve jomiqësore dhe veprimin e Ministrisë së Jashtme për demarsh verbal, për ambasadorin rus për “Post kërcënues në rrjetet sociale”, shkruan Alsat.

Sipas analistit Petar Arsovski, vendimi i diplomacisë që të mos i përgjigjet në mënyrë dypalëshe këtij akti të Rusisë, por të ndërtojë qëndrim të përbashkët me aleatët e BE-së është i logjikshëm.

“Përgjigja jonë duhet të jetë në sinkronizim me aleatët e tjerë. Këtu nuk kemi shumë hapësirë për manovrim, aq më tepër që gjeostrategjikisht kemi vendosur, dhe sipas opinionit publik, që është 80% për BE-në dhe NATO-n, dhe pas përcaktimit tonë gjeostrategjik që do të marrim atë rrugë. Dhe kjo nuk është çështje individuale, ose të ndonjë vendimi autonom, por është një drejtim që ne e përcaktojmë së bashku me aleatët e tjerë”, tha Petar Arsovski, analist politik.

Sipas Arsovskit, marrëdhëniet mes Moskës dhe Shkupit kanë qenë të tensionuara, që nga periudha kur Rusia tentoi të pengojë integrimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, gjë që është në kundërshtim me interesat e saj. Ai shton se Rusia është aktive në Ballkan, veçanërisht në Serbi dhe Republika Srpska, por jo në shkallë të gjerë tek ne.

“Ka njëfarë antagonizmi ndaj Perëndimit, sidomos përmes pseudoqendrave lokale që kanë PR në skenën politike të brendshme, dhe mendoj se kjo nuk do të ndalet. Megjithatë, ndikimi politik dhe i sigurisë i rrjedhave të mëdha politike është minimal”, u shpreh Arsovski.

Vendi tani ka harmonizuar 100 për qind politikën e jashtme të BE-së, dhe ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, që Brukseli i vendosi në vitin 2014, pas okupimit të gadishullit ukrainas të Krimesë, për të cilin ndërkohë nuk është marrë asnjë vendim.

Deri sa këto marrëdhënie kanë arritur në pikë të ulët, Ministria e Jashtme e Maqedonisë, që udhehiqet nga Bujar Osmani, vazhdon të furnizohet me derivate ruse. Kjo ka shkaktuar reagime të shumta në Shkup, pasi ministri Osmani deklarohet shqiptar.