Kosovë

Zelensky tërheq ushtarët ukrainas nga Kosova për të luftuar kundër Rusisë!

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka nënshkruar një dekret ku u bën thirrje forcave ushtarake që janë jashtë vendit me mision paqeruajtës të kthehen në Ukrainë për të luftuar agresionin rus, përfshirë edhe 40 ushtarët që shërbejnë në Kosovë në kuadër të KFOR-it, shkruan Gazeta Express.
Zëvendëshefi i Zyrës së Presidentit, Andriy Sibiga ka publikuar dekretin e nënshkruar nga Zelensky.

“Presidenti i Ukrainës, Zelensky, ka vendosur të thërrasë paqeruajtësit ukrainës me përvojë të lartë ushtarake nga të gjitha misionet në botë së bashku me pajisjet e tyre për të forcuar ushtrinë ukrainase tani kundër agresionit rus”, ka shkruar ai.

Vendimi i Zelenskyt vjen një ditë pasi Kosova i hapi dyert për familjet e ushtarëve ukrainas që shërbejnë në Kosovë.

Kështu bëri të ditur ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë në Kosovë, Donika Gërvalla, gjatë një raportimi para Komisionit për Politikë të Jashtme dhe Diasporë.

“Qytetarët e Ukrainës në kufirin me Kosovën mund të hyjnë pa viza, por ata që dëshirojnë të qëndrojnë në Kosovë, do të detyrohen të paraqiten tek organet kompetente me qëllim që të marrin leje qëndrim”, tha Gërvalla.

Ukraina nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe ndërmjet dy shteteve ekziston regjimi i vizave.

Ministrja Gërvalla tha se do të krijojnë kushte për të gjithë familjarët e ushtarëve ukrainas në Kosovë, të cilët dëshirojnë të sjellin familjen në Kosovë.

Në Kosovë, në kuadër të KFOR-it shërbejnë 40 ushtarë ukrainas.

Gërvalla, po ashtu, bëri të ditur se brenda kësaj jave, do të dorëzojë kërkesën në Qeverinë e Kosovës për marrjen e masave konkrete për pranimin e 5,000 refugjatëve nga Ukraina.

Kuvendi i Kosovës përmes një rezolute të votuar më 3 mars i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës të ndajë një fond të veçantë për ndihmë Ukrainës dhe në rast nevoje, të mundësojë strehimin e 5,000 refugjatëve.

Gërvalla tha se Qeveria do të ndajë mjete për këtë fond për Ukrainën.

“Ne do të zgjedhim një shoqatë humanitare vendore, e cila me produkte të Kosovës do të përpiqet të zbusë krizën humanitare në Ukrainë”, theksoi ajo.

Çfarë parasheh Rezoluta për Ukrainën?
Kosova, u shpreh Gërvalla, ka kërkuar nga KFOR-i dhe NATO ndalimin e hapësirës ajrore për avionët në pronësi ruse dhe se kjo kërkesë, siç tha ajo, është duke u shqyrtuar nga NATO.

“Shumë shpejt kemi filluar të shkojmë përtej anës formale të bashkëngjitjes së sanksioneve dhe se cilat janë mënyrat që Kosova mund të japë kontributin e saj. Jemi të ndërgjegjshëm që kontributi ynë është modest. Jemi shtet i vogël me shumë vështirësi dhe probleme tona”, tha Gërvalla.

Qeveria e Kosovës e ka dënuar pushtimin rus në Ukrainë dhe ka vendosur sanksione në linjë me ato të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.