May 8, 2024
Maqedoni

Mariçiq: Kërkova tërheqjen e listës sapo lexova emrat e të burgosurve për të cilët kërkohej të faleshin (Video)

Ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq ka sqaruar se, propozimi për faljen e të burgosurve është bërë nga Drejtoritë e të gjitha burgjeve në vend dhe se i njëjti nuk është përpiluar në ministrinë e Drejtësisë. Ai, tha se sapo e ka lexuar listën me emrat e të burgosurve për të cilët u kërkua falje, ka kërkuar që e njëjta të tërhiqet.

“Unë dua ta sqaroj së pari për çka bëhet fjalë. Këto janë ato faljet e jashtëzakonshme të fundvitit apo pjesërisht shkurtime të dënimeve që ndodhin çdo fundviti. Për dallim nga procedura e rregullt, kjo procedurë nuk shkon me kërkesë të të dënuarve dhe propozim të Ministrisë së Drejtësisë, po shkon direkt me propozim të Burgjeve, të drejtorëve të çdo burgu. Të gjitha burgjet në shtet japin lista me persona që formalisht i plotësojnë kushtet për shkurtimin e dënimit. Ne si ministri e Drejtësisë këtë listë e përcjellim te Presidenti ku ka dy filtra plotësues. Kjo listë nuk ishte përfundimtare dhe duhej shqyrtuar në mënyrë plotësuese. Pasi pamë emrat, qysh të premten, unë u paraqita te Kabineti i Presidentit dhe thash që kjo listë nuk do të duhej të shkonte te Komisioni dhe se e njëjta duhej sërish të shqyrtohej. Dhe gjatë kësaj bisede, në mëngjes dërguam shkresë për tërheqjen e kësaj liste”, tha Mariçiq.