Maqedonia feston trevjetorin e anëtarësimit në NATO
Maqedonia feston tre vjetorin e anëtarësimit në NATO. Kryeministri Dimitar Kovaçevski, në mëngjesin e organizuar me trupin diplomatik, theksoi se “ndjenja e të mos qenit i vetëm është e pazëvendësueshme”. Sipas tij, tani Aleanca duhet të punojë më shumë për sfidat e reja si kërcënimet hibride, por kujtoi edhe përfitimet e deritanishme të integrimit. Ai shtoi se anëtarësimi në aleancën euroatlantike u jep investitorëve siguri.
“Është e rëndësishme të theksohet fakti se investimet e huaja direkte vitin e kaluar, në kushte krize, arritën në 753 milionë euro, historikisht niveli më i lartë në vend. Kjo është dyfish në krahasim me vitin 2016”, tha Dimitar Kovaçevski – Kryeministër.
Në pritje të vendimit të tetë për ndihmën ushtarake për Ukrainën, zyrtarët qeveritarë përsëritën se Maqedonia do të mbetet në anën e duhur të historisë dhe do të vazhdojë të dhurojë, jo sepse dëshiron që lufta të vazhdojë, por që Ukraina të mbrojë sovranitetin e saj territorial.
“Ne jemi krenarë që joformalisht jemi vendi i katërt që ofron ndihmë ushtarake për Ukrainën për kokë banori. Kjo është një dëshmi e rëndësishme se ne qëndrojmë krah për krah me popullin ukrainas”, u shpreh Bujar Osmani – Ministër i Punëve të Jashtme.
“Shtatë vendimet e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për ofrimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën janë të një rëndësie jetike në fushën e betejës për Forcat e Mbrojtjes të Ukrainës, të cilat mbrojnë Ukrainën dhe vlerat demokratike me çmimin e jetës së tyre”, theksoi Larisa Dir – ambasadore e Ukrainës.
Anëtarësimi në NATO u shënua edhe me nderime ushtarake në kazermën “Ilinden”, nga ku ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska tha se vitin e ardhshëm do të përmbushim një nga kriteret kryesore për anëtarët e Aleancës, pasi që 2% e buxhetit të shtetit do të ndahet për mbrojtjen dhe modernizimin e ushtrisë. /Alsat.mk