Maqedoni

Maqedonia e Veriut merr sinjale pozitive nga Bullgaria

Maqedonia e Veriut shprehu gatishmërinë për të vazhduar dialogun me Bullgarinë, për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që po e mbajnë peng nisjen e bisedimeve të anëtarësimit midis Shkupit dhe Bashkimit Evropian.

Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, bëri këtë zotim një ditë pasi Bullgaria mbajti zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale.

Partia fituese në Bullgari “Ne vazhdojmë ndryshimin” ka thënë se do të ketë qasje të re ndaj Maqedonisë së Veriut, por, për të formuar Qeverinë e re, ajo do të duhet të bëjë koalicion me së paku tri parti të tjera.

Maqedonia e Veriut, sipas vlerësimit të Komisionit Evropian, i ka plotësuar kushtet për nisjen e negociatave të anëtarësimit në BE, por çështja është bllokuar nëntorin e kaluar në Këshillin Evropian, për shkak të kundërshtimeve të Bullgarisë.

Kjo e fundit insiston së pari në zgjidhjen e disa mosmarrëveshjeve që ka me Shkupin zyrtar, sa i përket identitetit, historisë dhe gjuhës maqedonase.

Së voni, Bullgari ka kërkuar edhe njohjen me Kushtetutë të pakicës bullgare në Maqedoninë e Veriut.

Maqedonia e Veriut hedh poshtë pretendimet e Bullgarisë se gjuha dhe identiteti maqedonas ekzistojnë pas vitit 1945 dhe para kësaj periudhe ato kishin “rrënjë bullgare”. Në korrik, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi një rezolutë që ia ndalon Qeverisë që të diskutojë për çështjen e identitetit, gjuhës dhe të kaluarës historike.

Osmani takoi të hënën në Bruksel homologun e tij bullgar, Svetlan Stoev, dhe, përmes një postimi në Facebook, tha se pret që kontaktet mes tyre të intensifikohen, me qëllim të gjetjes së “zgjidhjeve më të mira”.

“Dialogu i hapur dhe bashkëpunimi i drejtpërdrejtë janë treguesit më të mirë të përgjegjësisë dhe përkushtimit për paqen dhe stabilitetin, perspektivat e rajonit, si dhe ballafaqimin e suksesshëm me të gjitha llojet e sfidave me të cilat përballemi së bashku”, shkroi Osmani në rrjetin social Facebook.

Kiril Petkov, bashkëkryetar i partisë “Ne vazhdojmë ndryshimin” ka thënë se kjo parti ka një qëndrim kategorik se çfarë duhet bërë në marrëdhëniet midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Sipas tij, duhet të formohen grupe punuese nga të dyja vendet, në të cilat duhet të përfshihen jo vetëm historianët, por edhe njerëz nga biznesi, kultura dhe arsimi.

“Grupet punuese nuk do të diskutojnë vetëm historinë, por edhe gjithçka që mund t’i përmirësojë marrëdhëniet e mira fqinjësore midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut”, ka thënë Petkov.