Maqedonia e sigurt nga sulmet terroriste, bashkëpunojmë ngushtë me ShBA në luftën kundër terrorizmit
Maqedonia e Veriut është e sigurt nga çfarëdolloj sulmi terrorist siguron ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski. Sipas tij për momentin në vendin tonë nuk ka asnjë indikacion për çfarëdolloj prishje të sigurisë dhe se autoritetet janë mirë të përgatitura për çfarëdolloj kërcënimi.
“Tani, për momentin nuk ka asnjë indikacion për çfarëdolloj prishje të sigurisë në shtet. Në nivelin më të lartë veprojnë të gjitha njësitë pranë MPB-së dhe të gjitha agjencitë. Raportimet e rreme për akte terroriste treguan se në çfarë niveli është përgatitja e Policisë së Maqedonisë dhe agjencive”, tha Spasovski.
Maqedonia e Veriut dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë një bashkëpunim të shkëlqyeshëm në luftën kundër terrorizmit, rikujton ambasadorja e SHBA-vë në Shkup, Kejt Mëri Bërns.
“Do të thosha se bashkëpunimi ynë ka qenë i shkëlqyer. Ne jemi të përfshirë në baza të rregullta duke siguruar dhe shpërndarë ekspertë, përvojat më të mirë, njohuritë që të dy vendet kemi fituar si vende që janë përballur me sfida të ngjashme. Do ta karakterizoja bashkëpunimin tonë si produktive, konstruktive dhe që do të vazhdojë”, vlerëson Bërns.
Nga 127 persona të rritur që kanë qëndruar në Siri dhe Irak, 38 janë vrarë, 69 janë kthyer në Maqedoninë e Veriut ndërsa 19 kanë mbetur. Lidhur me risocializimin dhe riintegrimin e qytetarëve tanë të kthyer prej zonave të luftës në Lindje të mesme, edhe Spasovski edhe Bërns janë të mendimit se ky është një proces shumë i rëndësishëm, aq sa është e rëndësishme edhe të përgjigjen penalisht ata që kanë kryer krime.
“Për ata që janë në vatrat e luftës, ju e dini se riatdhesimi është bërë disa herë, janë kthyer këtu. Të gjithë për të cilët janë siguruar dëshmi do të dalin para drejtësisë. Mirëpo, ka edhe qytetarët tanë, kryesisht gra dhe fëmijë, të cilët janë sjellë këtu dhe i nënshtrohen sistemit të risocializimit dhe riatdhesimit”, tha më tej Spasovski,
“Një pjesë e kësaj përpjekjeje është nëpërmjet ICITAP (Programi ndërkombëtar i mbështetjes së hetimit kriminal) për të siguruar që efektivët e policisë të marrin trajnimin më të mirë të mundshëm, si dhe hetuesit për ta bërë më të qartë se si të përdorin dëshmitë e fushëbetejës në hetimet penale kundër terroristëve të kthyer në vendet e tyre. Dhe për t’u siguruar që programet sociale të zbatuara për të mbështetur familjet e prekura do të marrin ndihmën e nevojshme për risocializimin dhe shërimin e tyre”, shtoi Bërns.
Spasovski dhe ambasadorja e SHBA-së Bërns, këto deklarata i dhanë gjatë përurimit të objektit të rinovuar të policisë në “Gjorçe Petrov”. Objekti është rinovuar me donacion nga SHBA prej 475 mijë dollarëve, ndërsa do të shërbejë për pjesëtarët e njësitit special për luftë kundër substancave narkotike.