Maqedoni, policia ”ruan” ndërtesën e gjimnazit, s’ka mësim për 16 nxënësit shqiptarë! (Video)
MASH: PAS TRE KËRKESAVE, SHKOLLËS DO T`IA DORËZOJMË EDHE SHKRESËN ME SPECIFIKIMIN E KANDIDATËVE”
U ulën në bankat shkollore por vetëm për disa minuta. 16 nxënësve të gjimnazit “Koço Racin” në Veles u është thënë që presin një dokument nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe më pas të mund të fillojnë me procesin edukativo arsimor në këtë shkollë.
Në oborrin e shkollës para hyrjes edhe ishin të pranishëm pjesëtarë të policisë.
Sipas prindërve, nxënësve u është thënë që të mos vijnë fare derisa shkolla nuk e pranon dokumentin e kërkuar nga ministria e arsimit dhe shkencës.
“Kanë thënë që përderisa nuk pranojnë një dokument me shkrim nga Ministria e Arsimit nga Shkupi ne nuk kemi perse të maltretohemi dhe të vijmë nga Jabollçishti deri në Veles. Jemi 45 – 50 km larg nga Velesi” – tha Blerim Ahmedov, prind i një nxënësi.
Arlindi është njëri prej nxënësve që jeton në Jabollçisht dhe udhëton rreth 40 kilometra për të ardhur në shkollë. Prindi i tij thotë që kot vijnë deri në shkollë.
“Është e kot që vijmë nga Jabollçishti deri këtu. Mjeti që i transporton fëmijët e tjerë nuk ka të drejtë t’i marrë përderisa nuk regjistrohen nxënësit në shkollë” – tha Ahmedov.
Ministri i Arsimit Jeton Shaqiri sqaron se pas tre shkresave të cilat i ka marrë shkolla, kanë kërkuar edhe një shkresë plotësuese me specifikimin e kandidateve. Shaqiri thotë që njëjta do të dorëzohet menjëherë deri te drejtoria e shkollës.
“Ministria e arsimit dhe shkencës do të bëj gjithçka që ato fëmijë të fitojnë të drejtën e pranimit dhe të arsimimit e cila u takon edhe me kushtetutë. Çdo lloj kërkese e shkollës sa i takon miratimit të kandidatëve, paraleles por edhe kërkimin e miratimit për mësimdhënës nga ana e Ministrisë së Arsimit në kohë shumë të shpejtë do të miratohet dhe do të dorëzohet deri tek shkolla” – deklaroi ministri Shaqiri.
Ndërkohë drejtori i shkollës “Koço Racin” as sot nuk ishte i kapshëm për media.
Ndryshe, sot është dita e 11 e fillimit të vitit shkollor dhe 16 nxënësit e gjimnazit “Koço Racin” të Velesit ende nuk kanë një përgjigje konkrete se kur do të fillojnë me procesin arsimor.
Në këtë gjimnaz nga viti i parë deri në të katërt mësojnë mbi 80 nxënës shqiptar të cilët shumicën e lëndeve i ndjekin në gjuhen maqedonase në mungesë të mësimdhënësve shqiptar. /KlanMacedonia/