Maqedoni: Për momentin nuk planifikohen masa të reja kundër COVID-19
Kanë filluar negociatat me prodhuesin e ilaçit “Molnupiravir”, thanë për AIM, nga Ministria e Shëndetësisë, nga ku theksuan se do të informojnë me kohë për prokurimin e këtij ilaçi.
Ilaçi “Molnupiravir” është në formë tabletash dhe mund të merret nga të gjithë pacientët që janë pozitivë për Covid-19.
Nga Ministria e Shëndetësisë, thonë se ilaçi jepet në pesë ditët e para pas diagnostifikimit të virusit dhe nga provat e mëparshme klinike rezulton se shtrimi në spital me këtë medikament është reduktuar për 50 për qind.
Lidhur me vendosjen e masave të reja, pasi numri i rasteve aktive me COVID-19 është në rritje, nga Ministria e Shëndetësisë thonë se Komisioni për Sëmundjet Infektive dhe Instituti i Shëndetit Publik po monitorojnë situatën epidemiologjike në vend dhe në bazë të kësaj bëjnë rekomandime.
“Sipas të dhënave nga analizat e bëra nga epidemiologët e ISHP-së, javën e kaluar nuk ka pasur rritje të shpejtë të numrit të rasteve pozitive me Covid-19. Nga rastet e reja pozitive të regjistruara nga 32 qytete të vendit, ka rritje prej 3,7 për qind krahasuar me javën e kaluar. Shumica e të infektuarve janë nga Shkupi. Nuk ka presion as në spitale. Gjithsej 423 pacientë me Covid-19 janë shtruar në të gjithë vendin në qendrat Covid. Deri më tani nuk ka propozime dhe rekomandime të reja nga Komisioni për Sëmundje Infektive për mbrojtje nga Covid-19”, thanë nga Ministria e Shëndetësisë