Maqedoni

Maqedoni, një person ka vozitur 272 km në orë, policët e kanë ndalur por nuk e kanë dënuar

Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Penale dhe Standarde Profesionale ka ngritur padi në Prokurorinë Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit ndaj katër punonjësve policorë të cilët nuk kanë marrë masa në përputhje me Ligjin për siguri në komunikacionin rrugor ndaj një vozitësi që udhëtonte me shpejtësi prej 272 kilometrash në orë me veturën e tij. Policët e kanë ndaluar, por në vend të dënimit vetëm ishte paralajmëruar, transmeton Lideri.mk. Rasti është zbuluar pas kontrolleve plotësues të kamerave policore të asaj dite.

“Pas kontrolleve të kryera, shqyrtimit të materialit zyrtar dhe shikimit të video-incizimeve nga radari i ditës 06.05.2024, u konstatua se dy punonjës policie, duke vepruar me urdhër për matjen e shpejtësisë së lëvizjes së automjetet me radar në autostradën Shkup-Veles, kanë konstatuar kundërvajtje në komunikacion, përkatësisht i kanë matur shpejtësinë e lëvizjes së veturës “Porsche” prej 272 kilometra në orë, në vend ku lëvizja ka qenë e kufizuar në 120 kilometra në orë. me shenjë komunikacioni.

Në vend të përpilimit të procesverbalit për konstatim të kundërvajtjes dhe urdhërpagesës për kundërvajtje, duke pasur parasysh se për këtë lloj kundërvajtje, sipas nenit 36 ​​paragrafi 3 të Ligjit për siguri në komunikacionin rrugor, parashihet gjobë në shumë prej 400 eurove dhe ndalesë për drejtimin e mjetit motorik prej gjashtë deri në 12 muaj, kundërvajtësit i është dhënë vetëm vërejtje për kundërvajtje në komunikacion.

Shefi i Njësisë Lëvizëse për Sigurinë në Qarkullimin Rrugor i kërkoi kreut të Departamentit të Uniformës së Policisë – Departamenti i Çështjeve Rrugore që të mos shënojë penalitet për kundërvajtje të kryer, për këtë arsye drejtuesi i Departamentit të Policisë së Uniformuar – Departamenti i Çështjeve Rrugore ka ushtruar ndikim te zyrtarët policorë të mos konstatojnë shkelje nga neni 36 paragrafi 3 të Ligjit për siguri në komunikacionin rrugor, por vetëm të bëjnë vërejtje”, njoftoi MPB.

Ndaj katër policëve është paraqitur edhe propozim për inicimin e procedurës për shkelje më të rëndë të rendit dhe disiplinës së punës./Lideri