Maqedoni

Maqedoni e Veriut, ndihma nga Turqia dhe Gjermania me rastin e Ramazanit

Konsulenca e Shërbime Fetare pranë Ambasadës së Turqisë në Maqedoninë e Veriut promovoi në Shkup aktivitetet për muajin e Ramazanit 2022 dhe shpërndau kuponë për ushqime dhe bursa për studentët në nevojë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në aktivitetin e zhvilluar në bashkëpunim nga Unioni Turko-Islam për Çështjet Fetare (DITIB) me qendër në Gjermani dhe Fondacioni i Kryesisë së Çështjeve Fetare të Turqisë (TDV) morën pjesë vullnetarë të DITIB dhe TDV.

Këshilltari për Shërbime Fetare pranë Ambasadës së Turqisë në Shkup, Mustafa Mesten tha se TDV dhe DITIB prej më shumë se 40 vitesh zhvillojnë aktivitete të ndihmës humanitare dhe shërbimeve fetare dhe të bamirësisë si në Turqi ashtu edhe në gjeografinë turko-islame.

Mesten vuri në dukje se kanë dërguar në mënyrë të sigurt ndihmat që janë amanet i bamirësve për të gjithë njerëzinë në çdo vend të botës pa dallim feje, race dhe sektare.

“Në këtë kuadër si Konsulencë e Shërbime Fetare pranë Ambasadës së Turqisë në Shkup, prej dy ditësh bashkë me vullnetarët e ardhur nga Kryesia e Çështjeve Fetare të Turqisë (TDV) dhe DITIB po dërgojmë për familjet në nevojë dhe studentët e suksesshëm pakot me ushqime, kuponët për ushqime dhe bursat arsimore të cilat janë amanet i bamirësve tanë”, tha Mesten.

“Gjithashtu po bëjmë përpjekje që atmosfera e Ramazanit në Maqedoninë e Veriut të përjetohet në mënyrën më të mirë”, theksoi Mesten, i cili shtoi se personave në nevojë u kanë dërguar donacionet e bëra nga bamirësit brenda dhe jashtë vendit.

“Gjatë muajit të Ramazanit në Maqedoninë e Veriut do të realizojmë shpërndarjen e 1.000 librave të Kur‘anit i cili kryhet nga Kryesia e Çështjeve Fetare të Turqisë (TDV) në kuadrin e projektit ‘Kur‘ani le të jetë dhurata ime‘. Ndihma me pakot ushqimore dhe kuponët për blerje ushqimore për Ramazan ka arritur në 1.400 familje dhe nga kjo kanë përfituar gjithsej 8 mijë persona. Gjithashtu janë shpërndarë edhe bursa 1 vjeçare për 120 studentë”, tha Mesten.

Përfaqësuesi i DITIB, Yakup Aydın ka vënë në dukje se DITIB ka realizuar aktivitete të tilla prej vitesh dhe se këtë vit do të marrin pjesë në aktivitetet që do të zhvillohen në Ballkan, në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri dhe Kosovë.

“Në përgjithësi kemi shkuar në vendet e Afrikës. Këtë vit Gjermania ka ngarkuar me detyrë 100 persona për të shpërndarë pakot e iftarit. (Qëllimi ynë) nuk është vetëm shpërndarja e pakove të ndihmës por edhe shqyrtimi i situatës së qytetarëve këtu”, tha Aydın.

Përfaqësuesi i TDV, Abdülkadir Sülka tha se bursat arsimore janë vetëm për Maqedoninë e Veriut dhe se në kuadër të punimeve në terren janë përpjekur të përcaktojnë nevoja të ndryshme këtu.

“Gjatë muajit të Ramazanit ne do të përpiqemi t‘i dorëzojmë këto amanete (të atyre që ia kanë dhuruar TDV dhe DITIB) në të gjithë Ballkanin, duke filluar nga Maqedonia e Veriut, në Kosovë, Serbi, Shqipëri, Mal të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinë. Gjatë dy ditëve do të punojmë që të takohemi me qytetarët tanë këtu, kryesisht në pjesën lindore të Maqedonisë së Veriut”, tha Sülka./AA