Maqedoni

Magnus Opus: Sociologji e Islamit (I, II, III)

ShB Logos-A për panairin e librit të Prishtinës (6-11 qershor) para lexuesve sjell 3 vëllimëshen enciklopedike me 1843 faqe Sociologjia e islamit të prof. Ali Pajaziti (përzgjedhës, autor, përkthyes, redaktor), një vepër kjo enciklopedike që shtjellon nga këndvështrime të ndryshme “sociologjinë e islamizuar”, “pikëpamjen islame mbi çështjet sociologjike”, “sociologjinë islame”, “sociologji fetare islame”, “sociologjinë e fesë islame”, “sociologjinë e popujve myslimanë” etj. Është ky një studim sistematik i aspekteve shoqërore, politike dhe ekonomike të islamit klasik dhe transformimit të shoqërive myslimane në kontekst të një bote gjithnjë e më të globalizuar. Libri përfshin 79 artikuj nga 67 autorë, njohës të fushës nga katër anët e botës, si nga Turqia, Egjipti, Maroku, Katari, Nigeria, Australia, Malajzia, Bangladeshi, India, SHBA-të, Kanadaja, Rusia, Italia, Anglia, Uellsi, Suedia, Gjermania, Franca, Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Libri në fjalë, rezultat i punës shumëvjeçare, është një prurje e veçantë, një tekst referencial, i vetmi i llojit të vet jo vetëm në gjuhën shqipe por edhe më gjerë.