Lufta ka mbaruar vetëm për ata të cilët në të janë vrarë
Prof. Nijazi Halili
Gjithnjë e më shumë po forcohet bindja se mentaliteti i politik-bërësve të sotëm në Serbi, nuk ndryshon fare nga mentaliteti serbomadh i politikës serbe të periudhës së Millosheviqit. Shumë nga bandat dhe kriminelët që kanë marrë pjesë në krime e masakra në Kosovë, por edhe në vende tjera të ish-Jugosllavisë, janë drejtues policor, drejtues shërbimesh të ish-Jugosllavisë, pjesëtar të MPB-së, BIA-s, strukturave paralele dhe organizatave paraushtarake ilegale serbe, të cilat po e terrorizojnë popullatën shqiptare që jetonin në Kosovë dhe po tentojnë ta minojnë pavarësinë e shtetit të Kosovës, që është në ndërtim e sipër dhe në zhvillim institucional të pjekurisë si shtet i ri.
Dihet se me hapje varresh e lëvizje eshtrash në fillim të viteve ’90-të filloi gjenocidi serbomadh në ish-Jugosllavi. Akademiku i njohur boshnjak Abdulah Sidran, në një intervistë për mediet kosovare, në pyetjen se “me shpalljen e pavarësisë së Kosovës a është varrosur përfundimisht projekti politik serbomadh ?”, ai është përgjigjur: Ndoshta, sa i përket Kosovës, po dashtë Zoti të jetë ashtu. Por a e dini se çfarë është trishtuese. Siç ka thënë trimi boshnjak, gjenerali Atif Dudakoviç: ”Lufta ka mbaruar vetëm për ata të cilët në të janë vrarë”! Projekti serbomadh është shumë gjallë, në të çdo ditë punojnë dhjetëra mijëra politikanë, informatorë ushtarak e policorë, gazetarë, punëtor kulturorë e publikë.
Dhe do të jetë i gjallë ky projekt derisa, së paku, në bankën fiktive të të akuzuarit, nuk gjenden ata dhjeta ideologët më të rëndësishëm që nga Dobrica Qosiqi e Millorad Ekmeçiqi, deri te Vasilje Kërstiqi, Miroljub Jeftiqi dhe Veselin Gjuretiqi. Për shkak të të tillëve do duhej menduar për themelimin e diçkaje të ngjashme me Gjyqin e dikurshëm të Raselit. Urgjentisht”.
Lidhur me projektin serbomadh, që po rishfaqet gjithnjë e më fuqishëm në Serbi, Sonja Biserko, nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Beograd, thotë: “Sërish në planë të parë vihet prejoketi shteti i madh. Kjo dëshmon se në Serbi ekzistojnë qendrat formal edhe jo formale të forcës. Është evidente se qendrat jo formale janë më të fuqishme dhe më të organizuara, ndërsa çdo pushtet demokratik në Serbi shërben vetëm si mbulesë për këtë projekt”.