Lloga-Haxhiu: Anëtarësimi në BE sjell përparësi për qytetarët tanë dhe për ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore me vendet e rajonit
Ministri i Drejtësisë Krenar Lloga realizoi takim me ministren e Drejtësisë së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, si pjesë e Forumit dyditor ministror BE-Ballkani Perëndimor për drejtësi dhe punë të brendshme, i cili mbahet këtë javë.
Në takimin, siç njoftoi Ministria e Drejtësisë, u bisedua për vizionin e përbashkët, vlerat dhe sfidat e përbashkëta, me të cilat përballen vendet tona.
Lloga në takimin tha se reformat në sistemin gjyqësor, pavarësia e sistemit dhe profesionalizmi i të zgjedhurve të pushtetit gjyqësor janë e vetmja rrugë për të rikthyer besimin e qytetarëve dhe për të siguruar një sistem funksional dhe të drejtë.
“Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Kosovës, kanë shumë përvoja pozitive që mund t’i ndajnë për të hapëruar me sukses drejt rrugës evropiane. Ne jemi një hap para hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian dhe po shënojmë progres në shumë fusha, që është një përvojë e dobishme për Kosovën”, u shpreh Lloga.
Në anën tjetër, Republika e Kosovës është një histori suksesi dhe shembull për rajonin në fushën e digjitalizimit të sistemit të drejtësisë, proces ky që është prioritet edhe për vendin tonë.