Maqedoni

Lloga: Ekstradimi i Palevskit, së shpejti

Ministri i Drejtësisë Krenar Lloga pret që ekstradimi nga Turqia i të dyshuarit kryesor, Lupço Palevski Pallço, për vrasjet e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezovskit nga Velesi, të kryhet së shpejti. Lloga përsëriti se në vizitën e tij të fundit në Turqi iu tha se pjesa gjyqësore e procedurës kishte mbaruar, dhe kishte mbetur vetëm pjesa administrative. Ai shtoi se autoritetet turke kishin njoftuar gjithashtu një afat për dorëzimin e Palevskit, por nuk deshi ta ndajë atë me ne. Lloga thotë se sot ka kërkuar sërish informacion shtesë në lidhje me procesin e ekstradimit, por përmes kanaleve joformale.

“Sipas rregullave të tyre, fillimisht duhet të nënshkruhet aty nga Ministria e tyre e Punëve të Jashtme, pastaj nga Ministri i Drejtësisë. Unë pres që kjo të ndodhë shpejt, sepse të tilla ishin fjalët e kolegut tim nga Turqia”, deklaroi Krenar Lloga – Ministër i Drejtësisë.

Pas lëshimit të urdhërarrestit ndërkombëtar, Palevski u kap në qytetin turk Belikesir, ku ai është në paraburgim ekstradues që nga dhjetori. Në atë kohë, institucionet vendase, domethënë autoritetet gjyqësore dhe ekzekutive, u mburrën se kishin mbledhur dhe përkthyer dokumentacionin e nevojshëm për ekstradimin e Palevskit në kohë të shpejtë. Lloga deklaroi në fillim të shkurtit se ekstradimi ishte çështje ditësh. Edhe presidenti Stevo Pendarovski, theksoi se kishte komunikuar me homologun e tij turk Rexhep Taip Erdogan, për të shpejtuar ekstradimin, sepse, siç tha ai, rasti ishte shumë i madh për t’u zhvilluar në korridoret burokratike.

Ndërkohë, të gjithë të dyshuarit e tjerë të rastit, Velibor Manev, Vllatko Keshishov, Bore Videvski, por edhe babai i vajzës së vrarë, Aleksandar Gjorçevski, mbeten në paraburgim. Të mërkurën, Gjykata Supreme hodhi poshtë ankesën e Aleksandar Gjorçevskit, për paraburgimin e caktuar si të pabazuar dhe ai mbetet prapa grilave.

Avokati i tij tha se ai ishte nën presion për të pranuar krimin, dhe vuri në dukje se babai i Vanjës nuk i njihte të dyshuarit e tjerë. Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi serioz për pjesëmarrjen e Aleksandar Gjorçevskit në rrëmbimin e vajzës së tij dhe ekziston rreziku i lartë i arratisjes. Ata shtuan se në hetimin për vrasjet aktualisht përfshin ekspertizë të bisedave telefonike. /Alsat.mk