July 5, 2024
Maqedoni

Ljupço Palevski ekstradohet nga Turqia, dërgohet në burgun e Shutkës

Pas më shumë se pesë muaj të kaluara në paraburgim ekstradues në Turqi, mbrëmë është kthyer në vend Lupço Palevski – Pallço, i dyshuari kryesor për vrasjen e 14-vjeçares, Vanja Gjorçevska, më 27 nëntor të vitit 2023 dhe pensionistit, Pançe Zhezhovski.

Palevski mbrëmë me përcjellje policore është dërguar në burgun hetues të Shutkës, pasi paraprakisht ateroi në Aeroportin ndërkombëtar të Shkupit me fluturim të rregullt Stamboll-Shkup.

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) e konfirmoi procesin e ekstradimit të Palevskit, duke theksuar se nëpunës policor nga Sektori për bashkëpunim ndërkombëtar policor të MPB-së në bashkëpunim me policinë turke kanë përfunduar procesin e ekstradimit nga Republika e Turqisë të Lupço Palevskit (59) nga Shkupi për të cilin është lëshuar fletarrest ndërkombëtar për hetim të veprave penale “rrëmbim” dhe “vrasje” në bazë të urdhrit nr. 3047/23 të lëshuar nga Prokuroria Themelore Publike – Shkup.

Personi, siç njoftojnë nga MPB-ja, është transferuar në INP Burgu i Shkupit.

Ai pritet të merret në pyetje pranë gjykatës hetuese dhe të mbahet për 30 ditë në një qeli të posaçme, ku do të jetë në një regjim të veçantë sigurie, pa kontakte me të personat e tjerë. Vitin e kaluar, më 6 dhjetor, Palevski u arrestua në Balikesir të Turqisë, në përpjekje për t’u arratisur. Vanja, e mitur dhe Pançe, shtetas i Velesit, të cilët ishin shpallur të zhdukur më 27 dhe 24 nëntor të vitit 2023, janë gjetur të vdekur në afërsi të Velesit dhe Shkupit më 3 dhjetor.