Shqipëri

Listat e rrogave në Shqipëri do të rrisin divorcet: Berisha paralajmëron furtunë në familje

Ish-Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha e ka konsideruar si “megaskandali Ramagate” publikimin e rrogave të qytetarëve.

Më tej Berisha ka theksuar se kjo rrjedhje e informacioneve private do të shkaktojë probleme në bizneset shqiptare por edhe në familje.

Madje sipas Berishës do të ketë edhe divorce.

“Megaskandali Ramagate shënon rrënimin e shtetit shqiptar. Shqipëria sot për mua shëmbëllen një ndërtesë të cilën zotërit e saj vodhën gjithçka të brendshme, u kthye në fund vodhën trarë dhe tjegulla dhe e kanë lënë atë në natyrë. Ky është skandali më i madh në botë kur një shtet të gjithë databazën e tij dixhital e vë në dispozicion të krimit, duke terrorizuar çdo qytetar me këtë akt.

Po marrim rrogat. Rroga dëshmon së pari që ky është thjesht një piramidë e vërtetë ku dominon fund e krye mashtrimi. Nxjerrja e rrogave në shesh mbjell sherrnajën më të madhe në familjet shqiptare. Sepse familjet sot janë realisht me kontributorë si aksionerë, ku anëtarët nuk dëshmojnë se sa marrin por përcaktojnë kuotën që japin, por kjo është shumë e rëndë. Kjo ngjall një sherr të përgjithshëm brenda familjeve.

Kjo ka krijuar një revoltë të përgjithshme. Pas kësaj fillon një sistem shantazhi. Është një akt nga më të papërgjegjshmit që mund të ndodhë ndonjëherë. Është qytetar i dhunuar nga ai që i ka besuar sekretin.

Të gjithë janë punonjës, asnjë nuk e publikon rrogën e tij. Secili e mban atë në privatësi. Kjo u bë sepse Rama donte të zëvendësonte hajdutin ministër dhe Kryeministër me hajdutin universal.
Kush e di sa divorce do ketë kjo. Do ketë largim punonjësish nga ndërmarrjet. Psikoza të padiskutueshme.

Kanë nxjerrë rrogat e Shërbimit Informativ Kombëtar. Rrogat e SHISH i kanë nxjerrë përpara këta, ai ka qenë një veprim flagrant për sigurinë e Shqipërisë dhe të NATO, sepse sistemi i SHISH është i lidhur me sistemin e NATO-s dhe nxjerrja e pozicioneve dhe pagesave që u bë para disa kohësh ishte një rrjedhje e rëndë e sigurisë për NATO”, u shpreh ndër të tjera ish-Kryeministri Sali Berisha, në emisionin Zonë e Lirë.