Rajon - Botë

Lirohen 39 palestinezë nga burgjet izraelite në grupin e dytë të shkëmbimit të të burgosurve

Autoritetet izraelite sot (e diel) liruan 39 palestinezë, përfshirë gjashtë gra dhe 33 të mitur nga burgjet izraelite, si pjesë e grupit të dytë të marrëveshjes së shkëmbimit të të burgosurve ndërmjet Izraelit dhe grupit të rezistencës palestineze, Hamas, raporton Anadolu.

Më herët dje, 13 izraelitë dhe 4 të huaj u liruan nga Gaza në koordinim me Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK).

Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve palestineze WAFA, një autobus i KNKK-së çoi 34 të burgosur palestinezë nga burgu Ofer i Izraelit në Al-Bireh në Bregun qendror Perëndimor.

WAFA tha se qindra palestinezë u mblodhën në sheshin komunal të Al-Bireh për të festuar lirimin e të burgosurve.

Pesë të burgosurit e tjerë nga Kudsi Lindor i pushtuar u liruan nga burgu Al-Maskubiyeh ku u morën nga familjet e tyre.

Izraeli dhe Hamasi shkëmbyen 41 izraelitë dhe të huaj për 78 palestinezë nga burgjet izraelite në dy seri shkëmbimesh të burgosurish të kryera në ditën e parë dhe të dytë të një pauze humanitare katër-ditore.

Izraeli filloi fushatë masive ushtarake në Rripin e Gazës pas një sulmi ndërkufitar nga Hamasi më 7 tetor.

Që atëherë, sulmet izraelite kanë vrarë të paktën 14.854 palestinezë, përfshirë 6.150 fëmijë dhe më shumë se 4.000 gra, sipas zyrtarëve shëndetësorë në enklavë. Numri i të vdekurve në Izrael sipas të dhënave zyrtare është 1.200.