Kosovë

Liderët evropianë me letër të përbashkët: Kosova ta bëjë Asociacionin, Serbia njohjen de-facto

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, kanë kërkuar që Kosova të nisë me procedurat për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sipas draft-statutit të propozuar nga pesëshja perëndimore më 21 tetor dhe që Serbia realizojë njohjen de-facto.

Në letrën publike të tre liderëve evropianë të lëshuar të premten thuhet se “Me qëllim të arritjes së progresit të shpejt në zbatim, ne i bëjmë thirrje Kosovës që të nisë procedurën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, siç përshkruhet në draftstatut, ndërsa Serbisë që të jetësojë njohjen de-facto. Formalitetet, përfshirë ato ndërlidhur me adoptimin, nuk duhet të qëndrojnë në rrugën e progresit për këtë çështje”.

Në letrën e publikuar në uebfaqen e Kancelarisë gjermane liderët evropianë kanë thënë se mirëpresin angazhimin “e të dyja palëve” për themelimin e Asociacionit.

“Kemi marrë parasysh komentet e bëra nga të dy liderët e Kosovës dhe Serbisë për statutin evropian për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe gatishmërinë e tyre të shprehur për zbatim. Draftstatuti që kemi prezantuar dhe e shtyjmë përpara plotësisht, përfshin një mënyrë moderne evropiane për ta trajtuar çështjen e ndjeshme të mbrojtjes së pakicave, në përputhje me praktikat dhe standardet më të mira evropiane, brenda parametrave të përcaktuara nga palët”, thuhet tutje në letër.