Liderët e BE-së unanim për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE, KE-ja të ndihmoj në zhbllokimin e procesit të zgjerimit për Maqedoninë e Veriut
Liderët e institucioneve të BE-së janë unanim në mbështetjen e tyre për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut për hapjen pa vonesa të kapitujve. Ndërkohë, Komisioni Evropian pritet të ndihmojë në zhbllokimin e procesit të zgjerimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Ky është epilogu i vizitës së parë zyrtare dyditore të kryeministrit Dimitar Kovaçevski në Bruksel.
Kovaçevski nënvizon se e ardhmja e Maqedonisë së Veriut është në familjen evropiane dhe se ajo është e ardhmja e vlerave më të larta demokratike, agjenda e gjelbër, burimet e ripërtërishme të energjisë, digjitalizimi dhe rrugë e cila të rinjve ju krijon parashikueshmëri dhe hapësirë për zhvillim.
“Sapo kemi përfunduar takimin e fundit nga një serie takimesh këtu në Bruksel, si pjesë e një vizite pune gjatë dy ditëve të fundit. Më vjen mirë që takimi me Presidenten e Komisionit Evropian Ursula fon der Lajen rrumbullakosi agjendën tonë. Ne morëm mbështetje të qartë nga Fon der Lajen për rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian.
Këtu në Bruksel i informova partnerët tanë të Bashkimit Evropian për progresin që kemi bërë së bashku me Republikën e Bullgarisë në thellimin e bashkëpunimit të fqinjësisë së mirë. Angazhimi i të dy vendeve për të gjetur zgjidhje dhe për të intensifikuar dialogun është i qartë dhe i mirëpritur”, theksoi Kovaçevski.
Nëpërmjet bisedimeve me miqtë tanë Sharl Mishel në Këshillin Evropian dhe Roberta Mecola në Parlamentin Evropian, u konfirmua mbështetja e hapur për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, thotë Kovaçevski.
Ai përmendi se në Bruksel, të gjithë janë unanim se Maqedonia e Veriut duhet të fillojë menjëherë negociatat për anëtarësim në BE.
“Jemi mirënjohës për solidaritetin e treguar nga Bashkimi Evropian gjatë gjithë pandemisë. Gjatë krizave treguam se çfarë do të thotë të jesh evropian dhe çfarë do të thotë për Maqedoninë e Veriut të ketë mbështetje në momentet më të vështira”, tha Kovaçevski.