Rajon - Botë

Libani thirrje Izraelit të shpallë një armëpushim 48-orësh

Ministri i Jashtëm libanez Abdallah Bou Habib po i kërkon Izraelit të shpallë një armëpushim 48-orësh, duke i thënë CNN se “atëherë do të dimë saktësisht se kush po fillon çfarë”.

Në një intervistë për CNN, Habib tha se vendi i tij është shumë i shqetësuar se lufta mund të përhapet në rajon. “Në të vërtetë ne nuk duam luftë. Qeveria nuk dëshiron luftë. Ne po dialogojmë me grupe të ndryshme. Por është e pakontrollueshme sepse gjithçka varet nga ajo që ndodhi në Gaza,” tha Bou Habib.

Ndërsa Izraeli përgatitet për fazën tjetër të luftës me Hamasin në Gaza, grupi i mbështetur nga Irani Hezbollah ka shkëmbyer zjarr me forcat izraelite përtej kufirit në Izraelin verior dhe Libanin jugor.

Më herët të premten, zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, nënkoloneli Peter Lerner tha për CNN se: “Qeveria e Libanit, çdo gjë që ndodh nga territori i tyre sovran, ata janë përgjegjës dhe do të mbahen përgjegjës për këtë. Një shtet sovran ka kontroll mbi kufijtë e tij. Ata kanë përgjegjësinë të sigurohen që terroristët si Hezbollahu, një ushtri terroriste, të mos ndërmarrin sulme kundër Izraelit.”

“Le të bëjmë thirrje për një armëpushim dhe të shohim se çfarë do të ndodhë. Në vend që të kërcënojmë,” tha Habib.

I pyetur nëse qeveria e tij ka kontroll mbi Hezbollahun, ministri i Jashtëm libanez tha se: “Njerëzit janë të ndërlidhur këtu, politikisht dhe madje edhe nga gjaku. Pra, ne nuk mund t’i ndalojmë ata të hakmerren nëse vërtet situata në Gaza do të përkeqësohet më keq se sa është tani”.

“Ata (Hezbollahu) nuk duan një luftë. Por dua të them, ju nuk mund ta kontrolloni atë. Gjithçka varet, përsëri, nga ajo që ndodh në Gaza, nga pushtimi i Izraelit në Gaza,” shtoi ai.