May 28, 2024
Maqedoni

Lëvizja Demokratike: BDI shpëtimin po e kërkon te Nikolla Gruevski!

Lëvizja Demokratike vazhdon akuzat ndaj Bashkimit Demokratik për Integrim, e në veçanti ndaj zëvendëskryeminsitrit Artan Grubit. Sipas tyre, BDI shpëtimin po e kërkon te Nikolla Gruevski. Fari Iseni nga LD deklaroi se BDI-ja e shpalli Nikolla Gruevskin si thesar kombëtar të shqiptarëve, por që në fakt, Iseni thotë se është “gomë” për të shpëtuar disa njerëz nga BDI.

FARI ISENI, LËVIZJA DEMOKRATIKE

“Ata që e mbrojtën, i dhanë mundësi të arratisej, ruanin pronën e tij, shpresojnë në të njëjtin shërbim nga Gruevski për ta. Njeriu që ishte arsyeja pse Maqedonia e Veriut u izolua për dhjetë vjet, njeriu që ishte arsyeja pse shumë shqiptarë u dënuan, u persekutuan dhe ju bënë padrejtësi,Njeriu të cilin BDI e sulmoi si arsye për mos anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO dhe BE, sot pikërisht ai njeri është shpresa e fundit për shpëtimin e BDI-së”.

Iseni theksoi se BDI nuk ka shpresë që Gruevski mund të sigurojë deputetë që do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës. Ai gjithashtu tha se BDI shpëtimin e sheh në përsëritjen e episodave të njëjta, siç thotë ai, ashtu siç nuk u ndëshkua Gruevski mos të ndëshkohet edhe kriminaliteti i disa personave të BDI-së.

FARI ISENI, LËVIZJA DEMOKRATIKE

“BDI-ja e di se do të shkojë në opozitë andaj e do Gruevskin në pushtet. Gruevski u ka borxh atyre. Kështu mendojnë se shqiptarët do të duhet të harrojnë gjithë dëmin, gjithë korrupsionin, të gjithë fëmijët e ikur nga shteti.Ndryshimet në Kodin Penal ishin fillimi, kështu që tani po vazhdojnë me iniciativë para Gjykatës Supreme që kërkon kthimin e abolimeve të Gjorge Ivanovit. Mediat raportojnë se Artan Grubi është përfshirë personalisht në lobim dhe presion për rikthimin e faljeve”.

Nga partia e Izet Mexhitit thojnë se dënimi do të vijë shumë shpejt, ndaj ata i bëjnë thirrje gjykatësve të Gjykatës Supreme që, siç thojnë ata të mos bien në këtë grackë dhe presion të BDI-së.