Maqedoni

LD: Eksodi masiv i rinisë, rezultat i keqqeverisjes së BDI-së

Lëvizja Demokratike thotë se eksodi masiv i rinisë është rezultat i keqqeverisjes 20 vjeçare të BDI-së.

“Ndërsa qeveritarët në Maqedoninë e Veriut flasin për kinse “suksese dhe perspektivë” në lëmin e ekonomisë, në anën tjetër të rinjtë, sidomos ata shqiptarë, nuk shohin kurrfarë perspektive, ndaj në kërkim të një ardhmërie më të mirë ata marrin rrugën drejt perëndimit.

Të shtunën stacionet e autobusëve por edhe Aeroporti i Shkupit janë të mbushura përplot me familjarë, të cilët përcjellin fëmijët e tyre që kanë bileta njëdrejtimëshe.

Është një pamje tepër tronditëse, një pamje e cila pasqyron dështimin e një qeverie, e cila mendon vetëm për perspektivë e anëtarëve të vet dhe të familjeve të tyre, thuhet në reagimin e Lëvizjes Demokratike.

“Kot apelon BDI për të aplikuar të rinjtë tanë për të punuar në ndërtimin e korridoreve. Për plotësimin e 2000 vende pune mezi u paraqitën 300 të interesuar, sepse forca e punës po derdhet me të madhe jashtë Maqedonisë së Veriut….E gjithë kjo është pasojë e keqqeverisjes, e padrejtësisë, e korrupsionit, e pasigurisë, e paperspektivës, e mungesës së moralit, e kapjes së shtetit, e vjedhjes dhe hajnisë”, tha Diana Neziri, Lëvizja Demokratike.