Lavrov lë nën hije sërish samitin e OSBE-së
Lavrov lë nën hije sërish samitin e OSBE-së
Çështja e ekzistimit të OSBE-së e solli në Shkup shefin e diplomacisë ruse Sergej Lavrov, por ai vendosi ta zhvendosë fokusin dhe këtë temë ta lë anësh. Përkundër kësaj mbajti konferencë për media që zgjati një orë e gjysmë ndërsa ia kushtoi justifikimit të agresionit rus në Ukrainë të cilën nuk la pa përmendur si operacion special ushtarak për fitore ndaj regjimit neo-nazist në Kiev, i mbështetur nga Uashingtoni dhe Brukseli. Megjithatë Lavrov shprehu keqardhje që argumentet e tij një ditë më parë nuk i dëgjuan sekretari amerikan i shtetit Blinken dhe zyrtarë të lartë të Perëndimit. Ai ashpërsoi retorikën dhe i quajti kolegët e tij frikacakë. Nuk mungoi përgjigja nga pala amerikane.
“Isha i pranishëm në hapjen zyrtare paradite të mbledhjes së OSBE-së. Dhe nuk kishte njerëz nga Ukraina dhe shtetet baltike, as Blinken dhe Kameron, as Borrelli. Pse e bënë këtë? Ata ndoshta donin të theksonin qëllimin e tyre për të izoluar Rusinë, por unë mendoj se ata thjesht vepruan në mënyrë qyqare. Ata janë thjesht frikacakë që kanë bërë përpjekje të më izolojnë. Ata u frikësuan nga një bisedë e sinqertë e mbështetur në fakte”, deklaroi Sergei Lavrov – Ministër i Punëve të Jashtme të Rusisë.
“E shihni, askush nuk dëshiron të ulet në tryezë me Ministrin e Jashtëm Lavrov dhe të dëgjojë gënjeshtrat, dezinformatat dhe propagandën e tij. Pra, akti i qëndrimit larg tryezës është logjik për këdo që nuk dëshiron të marrë pjesë në atë mazohizëm”, u shpreh Majkëll Karpenter – Ambasador i OSBE-së në Shtetet e Bashkuara.
Lavrov në çdo pyetje të gazetarëve që nuk ishte në vijë me narrativin rus thjesht përgjigjej duke thënë se janë të porositura nga shefat perëndimorë. Ai nuk kurseu kritikat, madje akuzoi perëndimin për destabilizim të vazhdueshëm të Ballkanit. Por i pyetur për funksionimin e OSBE-së nuk dha përgjigje konkrete nëse Moska synon shkatërrimin e kësaj organizate.
“Nuk ka asnjë shans për të shpëtuar OSBE-në dhe nuk ka asnjë arsye për të festuar 30 vjetorin e OSBE-së, sepse organizata është degraduar në të gjitha fushat, dhe fjalimet e ministrave perëndimorë në Samitin në Shkup janë dëshmi se ata nuk e kanë nxjerrë leksionin e tyre. OSBE-ja është në prag të kolapsit”, shtoi Sergei Lavrov – Ministër i Punëve të Jashtme të Rusisë.
“Rusia nuk është aspak rehat me pozicionin e saj në OSBE. Ajo është e izoluar diplomatikisht dhe ka adresime të caktuara nga Lavrov, i cili thotë se vendet perëndimore dominojnë narrativin brenda OSBE-së. Sigurisht, arsyeja pse kjo narrativë është mbizotëruese është sepse të gjitha vendet e organizatës janë të neveritura nga agresioni ushtarak. Ky është realiteti dhe funksionimi i OSBE-së, është fitorja jonë”, tha Majkëll Karpenter – Ambasador i OSBE-së në Shtetet e Bashkuara.
Prania e Lavrovit këto ditë në Shkup u shoqërua me një sërë kundërthëniesh. Por ai tha se maqedonasit janë mikpritës të mirë. Maqedonia vazhdon të jetë në listën e vendeve jomike të Rusisë ndërsa Lavrov sqaroi se bëhet fjalë për qeverinë por jo edhe popullin